Një mbrëmje e mbushur me emocione, duartrokitje dhe surpriza u zhvillua në Anaheim të Kalifornisë, ku 11 figura të njohura u përfshinë zyrtarisht në listën prestigjioze të “Disney Legends”.
Ceremonia u mbajt në kuadër të eventit D23: The Ultimate Disney Fan Event dhe u drejtua nga Ryan Seacrest. Mes personaliteteve që morën këtë vlerësim këtë vit ishin Anne Hathaway, Dwayne “The Rock” Johnson, Bob Iger, Jonas Brothers dhe Lin-Manuel Miranda.
Anne Hathaway: “Jam një nga njerëzit më me fat”
Një nga momentet më emocionuese të ceremonisë ishte ai i Anne Hathaway. Aktorja u nderua nga regjisori David Frankel, me të cilin ka punuar në filmin ikonë The Devil Wears Prada.
Marrëdhënia e Hathaway me Disney-n daton më shumë se 20 vite më parë, kur ajo u bë e njohur për publikun me rolin e Mia Thermopolis në The Princess Diaries.
Gjatë fjalimit të saj, aktorja foli për familjen dhe karrierën, duke e cilësuar veten me fat që mund të bëjë profesionin që dashuron dhe njëkohësisht të ndajë jetën me bashkëshortin dhe fëmijët e saj.
“Sado perfekte të jetë e gjitha kjo, thjesht të qenit vetvetja është ajo që më bën më të lumtur”, u shpreh ajo.
Dwayne Johnson emocionohet në skenë
Edhe Dwayne Johnson përjetoi një moment të veçantë kur u ngjit në skenë për të marrë titullin “Disney Legend”. Çmimin ia dorëzoi Emily Blunt, bashkë-ylli i tij në filmin Jungle Cruise.
Në fjalimin e tij, aktori dhe ish-mundësi profesionist theksoi rëndësinë e mirësisë dhe të marrëdhënies me njerëzit që e kanë mbështetur gjatë rrugëtimit të tij.
“Është mirë të jesh i rëndësishëm, por gjëja më e rëndësishme është të jesh një person i mirë”, tha Johnson.
Jonas Brothers falënderojnë fansat
Në mesin e të nderuarve ishin edhe Kevin, Joe dhe Nick Jonas. Tre vëllezërit, të cilët u bënë të famshëm fillimisht përmes Disney Channel, morën çmimin nga Vanessa Hudgens.
Nick Jonas shfrytëzoi momentin për t’iu drejtuar fansave, duke i falënderuar për mbështetjen ndër vite.
“Faleminderit që u dhatë tre vëllezërve nga New Jersey një jetë përtej imagjinatës”, tha ai.
Një nderim për figurat që kanë formësuar Disney-n
Një tjetër emër i rëndësishëm i mbrëmjes ishte Bob Iger, ish-drejtori ekzekutiv i Walt Disney Company. Ai u nderua nga drejtori aktual i kompanisë, Josh D’Amaro, i cili e përshkroi si një prej drejtuesve më të rëndësishëm të biznesit të kohës së tij.
Gjatë ceremonisë, Iger u vlerësua për ndikimin e tij në zhvillimin e kompanisë, përfshirë marrëveshjet për blerjen e Pixar, Marvel, Lucasfilm dhe 21st Century Fox, si dhe krijimin e Disney+.
Në nder të tij folën edhe personalitete si Robert Downey Jr., Diane Sawyer, Harrison Ford, Ellen Pompeo dhe Al Michaels.
Lista e këtij viti plotësohet nga Chris Berman, Jerry Bruckheimer, Susan Egan, Eric Goldberg, Kim Irwin dhe Alan Tudyk.
Titulli “Disney Legend” konsiderohet një nga vlerësimet më të rëndësishme të kompanisë dhe u jepet individëve që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në historinë, kulturën dhe trashëgiminë e Disney-t./mxh
