Një studim i ri nga Instituti Karolinska në Suedi sugjeron se çrregullimet e të ushqyerit janë shumë më komplekse nga sa mendohej dhe nuk mund të shpjegohen vetëm përmes peshës trupore apo imazhit të trupit.
Kërkimi, i publikuar në revistën shkencore Nature Mental Health, analizoi faktorët gjenetikë që mund të lidhen me sjelljet e ngrënies së tepërt dhe anoreksinë nervore. Në studim u përfshinë rreth 40 mijë persona me sjellje të ngrënies së tepërt dhe rreth 25 mijë persona me anoreksi nervore, të cilët u krahasuan me më shumë se 1.2 milionë individë pa çrregullime të të ushqyerit.
Studiuesit identifikuan gjashtë shënues gjenetikë të lidhur me ngrënien e tepërt dhe tetë të lidhur me anoreksinë nervore. Dy prej shënuesve të anoreksisë nuk ishin identifikuar më parë.
Sipas studiuesve, këto të dhëna tregojnë se çrregullimet e të ushqyerit kanë një bazë biologjike që shkon përtej peshës së trupit.
“Çrregullimet e të ushqyerit nuk kanë të bëjnë vetëm me peshën trupore”, shpjegoi Lu Yi, studiuese në Departamentin e Epidemiologjisë Mjekësore dhe Biostatistikës në Institutin Karolinska.
Studimi zbuloi gjithashtu lidhje të ndryshme gjenetike me probleme të tjera. Disa nga shënuesit e lidhur me ngrënien e tepërt u shfaqën gjithashtu të lidhur me sjellje impulsive, duhanpirjen, prirjen për të marrë rreziqe, indeksin më të lartë të masës trupore (BMI) dhe ADHD.
Në rastin e anoreksisë nervore, lidhjet gjenetike ishin më të forta me çrregullimin obsesiv-kompulsiv (OCD).
Studiuesit theksojnë se këto rezultate nuk nënkuptojnë se një person me këta shënues do të zhvillojë patjetër një çrregullim të të ushqyerit. Shënuesit gjenetikë janë ende parashikues të dobët kur përdoren të vetëm dhe duhet të kombinohen me faktorë të tjerë për të vlerësuar rrezikun individual.
Megjithatë, zbulimet mund të ndihmojnë në të ardhmen për të kuptuar më mirë mekanizmat biologjikë që qëndrojnë pas çrregullimeve të ndryshme të të ushqyerit dhe, potencialisht, për zhvillimin e trajtimeve më të përshtatura për secilën gjendje.
Sipas studiuesve të Institutit Karolinska, anoreksia nervore dhe ngrënia e pakontrolluar nuk duhet të shihen thjesht përmes prizmit të peshës apo metabolizmit, pasi pas tyre mund të fshihen mekanizma biologjikë të ndryshëm./mxh
