Last Updated on 17/05/2026 by Kesjana
Struktura e Antiterrorit nga Tirana mësohet se ka mbërritur prej disa ditësh në Gjirokastër, në kuadër të verifikimeve lidhur me përhapjen në rrjetet sociale të një lajmi të dyshuar si i rremë, i cili ka shkaktuar debat dhe reagime të shumta në opinionin publik lokal. Sipas burimeve, hetimet lidhen me publikime të bëra në rrjete sociale nga shtetasi Emin Kokalari, ku pretendohej se në Bashkinë e Gjirokastrës kishte raste të një sëmundjeje infektive dhe se edhe kryebashkiaku Flamur Golemi ishte i prekur.
Këto pretendime nuk janë konfirmuar nga autoritetet shëndetësore dhe po trajtohen në kuadër të hetimeve për verifikimin e përmbajtjes dhe pasojave të tyre. Raportohet se deri më tani janë marrë në pyetje disa persona, me qëllim identifikimin e origjinës së informacionit dhe mënyrës së përhapjes së tij në publik. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se çështja po trajtohet me seriozitet për shkak të ndikimit që lajme të tilla mund të kenë në krijimin e panikut dhe destabilizimin e klimës sociale. Ndërkohë, në fokus të hetimeve mbetet edhe mundësia nëse përhapja e informacionit ka qenë e koordinuar apo ka pasur elementë të tjerë të përfshirë në amplifikimin e tij në rrjetet sociale. Autoritetet nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare përfundimtare mbi ecurinë e procedimit.
Kujtojmë se rreth një muaj më parë, kryebashkiaku i Gjirokastrës, Flamur Golemi, përmes avokatit të tij Arben Llangozi, depozitoi kallëzim penal pranë organeve kompetente, duke kërkuar hetim për përhapje paniku dhe publikim informacioni të rremë që, sipas tij, cenon figurën dhe institucionin që ai drejton. Hetimet vijojnë./kb
