Nga Sejdin Cekani
“Jam sirena, jam meduza/Mbushur deti me karpuza.”
Ky do të jetë titulli i antologjisë më të re poetike që po bëhet gati të botohet këtë verë, si një dallgë e freskët që pritet të përmbytë brigjet e letërsisë kombëtare me aromë… karpuzësh.
Sipas njoftimit që ua ka dërguar në fejsbuk poeteve/poetëve “më me famë të krejt Arbërisë”, siç i përcakton me një ndjenjë të thellë përgjegjësie estetike hartuesi i saj, i mirënjohuri Fatjosh Boriga, bëhet me dije se në këtë libër do të përfshihen vetëm 100 poezi. Sipas tij, kjo është një shifër simbolike që përfaqëson edhe njëqindfishimin e ndjenjave artistike në nivel planetar.
“Për mbarështimin e pizive të juaja, – vazhdon ai me një ton që të ngroh shpirtin, – do të bëni mukajet të më dërgoni nga 50 euro. Kush do emrin me germa kapitale me të zezë të theksume, duhet me shtu edhe 10 euro. Kush don me ja shtu edhe nji vizë poshtë emrit, asht ofert’ speciale: vetëm 5 euro ma shumë.”
Më poshtë, hartuesi i “mirënjohur” i (kinse)antologjisë shton me modesti shembullore:
“Premtoj se libri do të ketë sukses të paparë. Si garanci për profesionalizmin tim, po ju kujtoj se jam autor i disa përmbledhjeve dhe antologjive, ku po veçoj:
“50 gjuetarët e mençëm të Bollovrodës”,
“100 vraçët mendjehollë të Zabër-Zunit”,
“70 këmbësorët këmbëmëdhenj të Okshtamës”,
“120 namuzllinjtë pa mjekër të Lenkenjës”…
Kam dhe të tjerë libra që nuk po i përmendi për arsye modesti dhe për mungesë vendi në fejsbuk.”
Ai vijon më tej, duke shtuar një dimension të ri profesionalizmi: “Shtoj, nën përgjegjësinë dhe nderin tim prej ish këmbësori (gjitharmëshi), se kam marrë edhe premtimin e kryetarëve dhe presidentëve të nderit të 26 shoqatave të poetëve për t’ju organizuar ziafete madhështore, me mish në hell dhe me sallatë artistike, si dhe për t’ju dhënë certifikatat ‘Poeti më i mirë i verës 2026’, të vulosura me bojë origjinale kineze.”
Ndërkohë, burime pranë organizatorit bëjnë me dije se përzgjedhja e pizive do të bëhet mbi kritere shumë të rrepta estetike: të kenë rimë me çdo kusht (edhe kur nuk ka lidhje),
të përmenden deti, dashnia ose pemë frutore, si kumbulla, pjeshka, molla, por ndoshta edhe rrushi e fiku . Por, mbi të gjitha, të jenë shkruara me ndjenjë të fellë spontane, pa u zatetur nga rregullat e tepërme të gramatikës.
Në fund fare, Fatjosh Antologjisti ka dhe një lutje gjithë përdëllim, që prek telat më të ndjeshëm të shpirtit krijues: “Meqë emri juaj do të lartësohet në antologjinë time, kërkoj një nder fare të vogël, më qëllim veselitjen time shpirtërore: të më propozoni për së dyti qytetar nderi në Zhdaberil, por me kërkesën që, këtë herë, të më nderojnë edhe me kapelën e ish ushtarakut këmbësor, që nuk ma dhanë herën e parë. Se pa kapelë, s’ka as poezi, as dinjitet.”
Dhe kështu, nën diellin përvëlues të plazhit dhe nën hijen e një kulture që gjithnjë e më shumë i ngjan një dafrunge, “Antologjia Poetike e vitit 2026” pritet të hyjë këtë verë në histori jo si një libër, por si një ngjarje që të shtie gërdinë.
