Last Updated on 07/07/2025 by adminfjala
Arabia Saudite ka prezantuar një sistem të ri klasifikimi (si Kanadaja) për lejet e punës tek të huajt, si pjesë e përpjekjeve të saj për të rritur efikasitetin e tregut të punës dhe për të tërhequr ekspertizë ndërkombëtare, si dhe për të mbështetur objektivat e Mbretërisë për Vizionin 2030.
Iniciativa, e njoftuar nga Ministri i Burimeve Njerëzore dhe Zhvillimit Social Ahmed al-Rajhi, do t’i kategorizojë punëtorët e huaj në tre nivele, shumë të kualifikuar, të specializuar dhe bazë, bazuar në faktorë të tillë si kualifikimet, përvoja, aftësitë teknike, nivelet e pagave dhe mosha, raportoi Agjencia Saudite e Shtypit (SPA).
Sistemi hyri zyrtarisht në fuqi më 1 korrik dhe Arabia Saudite po përshpejton zhvillimin e projekteve të saj kryesore, duke përfshirë NEOM, Projektin e Detit të Kuq, Qiddiya dhe Portën Diriyah – të cilat kërkojnë një numër në rritje të profesionistëve të kualifikuar në sektorë të tillë si ndërtimi, inxhinieria, turizmi dhe teknologjia.
Sipas SPA, ministria tha se sistemi i ri është hartuar për të “përmirësuar performancën e punonjësve, për të tërhequr talente globale për të transferuar ekspertizën dhe përvojën në tregun saudit të punës, për të përmirësuar efikasitetin operacional, për të përfituar nga përvoja ndërkombëtare dhe për të krijuar një mjedis që mbështet inovacionin dhe zhvillimin e modeleve të biznesit”.
Riklasifikimi do të zbatohet përmes platformës Qiwa dhe është në përputhje me Klasifikimin e Unifikuar Saudit të Profesioneve dhe Niveleve Arsimore.
Një mjet i unifikuar vlerësimi dixhital do të sigurojë që punëtorët të vlerësohen në mënyrë të vazhdueshme dhe të përputhen me nevojat e tregut të punës.
Autoritetet thonë se kjo masë do t’i ndihmojë punëdhënësit të kenë akses në punëtorë më të kualifikuar, të zvogëlojnë mospërputhjet midis aftësive dhe kërkesave të punës dhe të zvogëlojnë gradualisht varësinë nga puna me kualifikim të ulët. m.p.