Ari dhe argjendi u stabilizuan të mërkurën, pas shitjeve më të mëdha në vite që pësuan një ditë më parë, mes shqetësimeve se rritjet e vrullshme të javëve të fundit i kishin bërë këto metale të çmuara të mbivlerësuara.
Ari u tregtua pranë nivelit prej 4,140 dollarë për ons, pasi ra deri në 6.3% në sesionin e mëparshëm, rënia ditore më e madhe në më shumë se 12 vjet. Argjendi u rrit lehtë pas një rënieje deri në 8.7% të martën. Këto luhatje të forta erdhën pasi treguesit teknikë sinjalizuan se rritjet e njëpasnjëshme të dy metaleve kishin hyrë në territor të mbivlerësuar.
Kjo tërheqje solli një ndalesë të menjëhershme në avancimet e shpejta që kishin nisur nga mesi i gushtit. Të ashtuquajturat “tregti të zhvlerësimit”, ku investitorët shmangin borxhin sovran dhe monedhat për t’u mbrojtur nga deficitet buxhetore të pakontrolluara, si dhe parashikimet se Rezerva Federale e SHBA-së do të kryejë të paktën një ulje të madhe të normës së interesit deri në fund të vitit, kanë qenë shtytësit kryesorë të muajve të fundit. Ari mbetet ende gati 60% më i lartë që prej fillimit të vitit.
Edhe pse luhatshmëria e arit është zbutur për momentin, tregtarët po përdorin opsione për t’u mbrojtur nga mundësia e goditjeve të tjera. Paqëndrueshmëria e nënkuptuar njëmujore është rritur pranë nivelit më të lartë që nga marsi 2022, duke treguar se investitorët po pozicionohen për lëvizje të forta të çmimeve.
Lëvizjet agresive të presidentit Donald Trump për të riforësuar tregtinë globale dhe pasiguria e shtuar gjeopolitike kanë nxitur këtë rritje të metaleve të çmuara gjatë vitit. Bankat qendrore, të interesuara për të diversifikuar asetet larg dollarit amerikan, kanë vazhduar blerjet, ndërsa ka pasur edhe flukse në fondet e tregtuara në bursë (ETF), pasi investitorët e vegjël janë përpjekur të përfitojnë nga rritja.
Citigroup Inc. uli vlerësimin e saj pozitiv për arin pas rënies së së martës, duke paralajmëruar se tregu mund të jetë pozicionuar tepër në këtë aset. Sipas bankës, pritet një periudhë konsolidimi rreth nivelit 4,000 dollarë për ons në javët e ardhshme, shkruajnë strategët. /Marrë nga Monitor/ K.M
