Një ekip nga Instituti Kombëtar për Kërkime Arkeologjike Parandaluese (INRAP) ka zbuluar në Melun një kompleks banimi galo-romak me shtëpi, bodrume dhe puse. Gërmimet po zhvillohen në oborrin e ish-Kolegjit të Trajnimit të Mësuesve, në adresën 3 Rue de Belle-Ombre, dhe pasojnë një zbulim të mëparshëm të mbetjeve të banjave antike.
Gërmimet në Melun
Në lashtësi, Melun quhej Metlosedum dhe ishte pjesë përbërëse e territorit të Senonëve, një popull i lashtë keltik, kryeqyteti i të cilit ishte qyteti i Sensit. Sipas INRAP, Metlosedum ndodhej në skajin veriperëndimor të territorit të Senonëve, pranë kufijve me Meldët (rreth Meaux), Parisitët (rreth Parisit) dhe Karnutët (rreth Chartres dhe Orléans). Midis shekullit I para Krishtit dhe shekullit III pas Krishtit, qyteti u zhvillua kryesisht në Ile Saint-Étienne dhe në bregun e majtë të lumit Senë.
Ky territor iu aneksua më pas provincës së Gallisë së Lyonit, e krijuar gjatë mbretërimit të perandorit August.
Ku ndodhet Meluni sot?
Qyteti modern i Melunit ndodhet rreth 40 kilometra në juglindje të Parisit. Zona e tij urbane shtrihet në një kthesë të Senës, në të dy brigjet e lumit, mes pllajave të Brie dhe Gâtinais. Gërmimet po kryhen në një sipërfaqe prej rreth 3,500 m², në perëndim të qytetit të lashtë, përgjatë një decumanus-i (rrugë lindje–perëndim) që ndjek trasenë e Rue de Belle-Ombre, dhe një cardo-je (rrugë veri–jug), që përkon me Rue de Dammarie.
Mbetjet: shtëpi, bodrume dhe puse
Në perëndim të qytetit, kalonte një tjetër cardo, rrugë veri–jug që nuk ekziston më në rrjetin modern rrugor. Një pjesë e saj u zbulua gjatë këtyre gërmimeve, ndërsa dy segmente të tjera janë identifikuar më herët në ndërhyrje parandaluese. Arkeologët kanë identifikuar dy zona ndërtimi që përfaqësojnë një lagje dhe një domus galo-romake.
Zona perëndimore përmban një ndërtesë drejtkëndëshe të orientuar veri–jug, me një sipërfaqe rreth 700 m², të kufizuar nga cardo-ja. Në veriperëndim të saj u gjet një bodrum i integruar, i dëmtuar pjesërisht nga ndërtimi i një pusi kullimi që dikur i shërbente shkollës.
Sipas raportit të INRAP, “shumë vrima shtyllash me gurë të ndërthurur tregojnë për një arkitekturë të përzier, që kombinon mure me materiale të forta dhe të prishshme.” Rreth 40 metra më në lindje është identifikuar një tjetër zonë ndërtimi prej 600 m², por mbetjet janë dëmtuar nga rrjetet moderne nëntokësore, duke e vështirësuar rindërtimin e plotë të planimetrisë.
Në qendër ndodhet një dhomë në gërmim e sipër, e përshkuar nga tuba antikë të ujërave të zeza. Janë zbuluar edhe mbetje të një vatre shtëpiake prej pllakash të sheshta, ndoshta pjesë e një kuzhine. Zona përmban gjithashtu struktura të zbrazëta, gropa magazinimi, bodrume pa mure dhe puse të veshura me blloqe gëlqerori.
Burimi: fanpage.it/ Përgatiti për botim: L.Veizi
