Si do të jetë jeta në vitin 2034? A do të bëjnë fëmijët sërf në gurore – apo do të jetojnë në pyje sepse besojnë se Toka është e zbrazët? Takojmë regjisorin pas Gener8ion, parashikimet e errëta të të cilit kanë prirjen të bëhen virale.
Shaad D’Souza
Një nga videot më të spikatura të Visions of 2034, një ekspozitë e re audio-vizuale nga regjisori Romain Gavras dhe muzikanti Benoit Heitz (i njohur si Surkin), është një kthesë e errët komike mbi kulturën e teorive të konspiracionit.
Në “God Hates Space”, disa të rinj janë larguar në pyje diku në Amerikën Qendrore për shkak të besimeve të tyre ekstreme, kryesisht idesë se Toka është e zbrazët. Kjo vjen në një kohë kur të rinjtë po kthehen në jetesë “off-grid” dhe disa influencues përhapin teori absurde në internet.
Por ka një ironi: “God Hates Space”, me imazhet e tij të çuditshme të fashizmit dhe teorive të çmendura, është xhiruar më shumë se gjashtë vite më parë në Ukrainë, para luftës. Estetika e tij – që Surkin e përshkruan si një përzierje mes “konfederatës” dhe “Monster Energy” – rezulton parashikuese, jo reflektuese.
“Ne i xhirojmë këto video dhe ndonjëherë duhen vite për t’u publikuar,” thotë Surkin. “E ardhmja po na arrin. Po bëhet më budalla shumë më shpejt se më parë!”
“Ne flisnim për pamjet, pastaj gjenim para duke u shitur te reklamat”
“God Hates Space” përfshin zërin e 070 Shake, e cila shfaqet edhe në “Neo Surf”, një këngë e shoqëruar me një video të xhiruar në një gurore mermeri. Sipas Gavras, kjo estetikë e të rinjve që luajnë në hapësira të çuditshme dhe “aliene” lidhet me vizionin e tyre për të ardhmen.
“Kur flasim për të ardhmen dhe bëjmë një robot, pas pesë vitesh ai bëhet i vjetëruar. Por nëse bëhet fjalë për fëmijë që bëjnë gjëra fëmijësh, kjo është e përjetshme,” thotë ai.
Gener8ion është një projekt i gjatë i Gavras dhe Surkin, që eksploron imazhe absurde të një të ardhmeje të errët. Gavras njihet si një nga regjisorët më të rëndësishëm të videoklipeve muzikore të gjeneratës së tij, ndërsa Surkin ka krijuar muzikë dhe kolona zanore kult.
“Është shumë e vështirë të gjesh buxhete për video ambicioze,” thotë Gavras. “Shpesh, unë bëja reklama për të financuar projektet. Hap pas hapi ndërtuam idenë e së ardhmes së afërt.”
Një botë e ardhshme që bëhet virale
Ekspozita Visions of 2034 përkon me albumin debutues Love & Tears. Një nga veprat më të diskutueshme është “Storm”, me reperin suedez Yung Lean, ku ai shfaqet si një figurë autoritare në një shkollë të vitit 2034.
Videoja u bë virale në rrjetet sociale, sidomos për koreografinë e saj.
Gavras nuk e ka problem mënyrën si interneti e ripërpunon veprën: “Ne bëjmë një video të gjatë, me kulmin në minutën e katërt, dhe interneti e pret dhe e riposton si të dojë.”
YouTube, Saddam dhe kufijtë e censurës
Një nga veprat më të hershme, videoja e MIA-s “Born Free”, ku përshkruhen skena dhune si kritikë ndaj videove virale të gjenocidit tamil, është gjithashtu pjesë e ekspozitës.
Gavras kujton paradoksin e censurës: “Na ndaluan në YouTube për një video fiktive, por në të njëjtën kohë, videoja e varjes së Saddam Husseinit ishte aty. Është gjithmonë interesante: çfarë konsiderohet shokuese dhe çfarë jo.”
Polemika të dyanshme
Projekti “Storm” u kritikua si nga e djathta amerikane, ashtu edhe nga e djathta franceze, për arsye të ndryshme politike.
“Unë shpesh marr urrejtje nga të dyja anët e spektrit politik, por edhe dashuri,” thotë Gavras. “Në këtë rast mora të dyja – gjë që është e rrallë.”
Në Francë, polemika u ndez nga një skenë ku Yung Lean vizaton një organ gjenital mbi hartë në vendin ku ndodhet Franca.
“E pashë dhe mendova se ishte qesharake,” thotë ai.
Burimi: theguardian.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi
