Varka dhe anijet u panë të mërkurën duke lundruar pranë bregdetit të Musandam, mbi ngushticën strategjike të Hormuzit.
Shtetet e Bashkuara dhe Irani ranë dakord për një armëpushim dy-javor, të ndërmjetësuar nga Pakistani, duke pezulluar një konflikt gjashtë-javor që ka shkaktuar mijëra viktima, ka përhapur destabilizim në Lindjen e Mesme dhe ka krijuar ndërprerje të paprecedentë në furnizimet botërore të energjisë.
Lajmi u prit me lehtësim në rrugët e shumë qyteteve të rajonit dhe në tregjet financiare globale, pas njoftimit të presidentit Donald Trump të martën vonë, vetëm dy orë para afatit që ai kishte vendosur për Iranin për të hapur ngushticën e bllokuar të Hormuzit, ndryshe kërcënoi me shkatërrimin e “gjithë civilizimit” të tij.
Megjithëse SHBA dhe Irani deklaruan të dyja fitore, mosmarrëveshjet kryesore mbeten të pazgjidhura, secili duke qëndruar në kërkesat e veta për një marrëveshje paqeje që mund të formësojë Lindjen e Mesme për breza të tërë.
Një zyrtar i lartë iranian i përfshirë në bisedime i tha Reuters se Teherani mund të hapë ngushticën e Hormuzit të enjten ose të premten, para bisedimeve të planifikuara të paqes në Pakistan, nëse arrihet një kornizë për armëpushimin./mxh
