Autoritetet meksikane kanë bërë një zhvillim të rëndësishëm në hetimet për vrasjen e influencueses Valeria Márquez, e cila humbi jetën në maj të vitit 2025 teksa po transmetonte drejtpërdrejt në rrjetet sociale. Sipas hetuesve, urdhri për ekzekutimin e 23-vjeçares dyshohet se është dhënë nga Ramón Ángel Álvarez Ayala, një nga drejtuesit e njohur të një karteli kriminal në Meksikë.
Álvarez Ayala u arrestua gjatë një operacioni të forcave speciale në shtetin Michoacán. Përveç çështjes së Valeria Márquez, ai kërkohej edhe për përfshirje të dyshuar në organizimin e vrasjes së kryebashkiakut të Uruapanit, Carlos Manzo, në fund të vitit 2025.
Sipas hetimeve paraprake, motivi i dyshuar lidhet me marrëdhënien që influencuesja kishte pasur me Francisco Álvarez, djalin e të arrestuarit. Pas përfundimit të lidhjes, i riu dyshohet se e kishte kërcënuar vazhdimisht Valerian dhe më pas i kishte kërkuar babait të ndërhynte kundër saj.
Ngjarja ndodhi më 13 maj 2025 në sallonin e bukurisë që 23-vjeçarja administronte në Jalisco. Një person i armatosur dhe me fytyrë të mbuluar hyri në lokal dhe hapi zjarr ndaj saj, duke e goditur disa herë. Valeria ndërroi jetë në vend, ndërsa gjithçka ndodhi gjatë një transmetimi live që po ndiqej nga mijëra persona.
Pamjet e sulmit u përhapën me shpejtësi në internet, duke shkaktuar reagime të forta brenda dhe jashtë Meksikës dhe duke e kthyer rastin në një nga krimet më tëdiskutuara të vitit.
Ministri meksikan i Mbrojtjes Civile deklaroi se provat e mbledhura deri tani tregojnë se Francisco Álvarez kishte ushtruar presion dhe kërcënime ndaj ish-partneres së tij. Sipas tij, pista kryesore e hetimit është se ai i kërkoi të atit të urdhëronte eliminimin e saj, megjithëse kjo do të duhet të provohet përmes procesit hetimor.
Ndërkohë, autoritetet vazhdojnë punën për identifikimin e personave që morën pjesë drejtpërdrejt në ekzekutim, si edhe të gjithë atyre që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në organizimin e krimit. Arrestimi i Ramón Ángel Álvarez Ayala konsiderohet një hap kyç drejt zbardhjes së plotë të çështjes./mxh
