Nga Artan Fuga
Në disa media qarkullon kjo video:
Pyetjet që kam lidhur me të, të pashpjegueshme aq lehtë, janë këto:
- Mirë deputeti që shkon për të “rrëmbyer” dokumentin në mënyrë të parregullt, e bën sepse ashtu mendon, por videon me aparat telefoni celular kush e bën? Kush ka qenë që rrinte gati përpara derës sikur ta dinte më parë dhe të priste ngjarjen që ndodhi!
Qesharake!
- Duket qartë se nuk është kamera korridori. Ajo ndjek korridorin dhe hapat që ecin me shpejtësi në të!
- Kush e ka ditur që deputeti do të bënte atë veprim, do të dilte nga dera në atë çast dhe e mban telefonin gati përpara derës së mbyllur duke pritur nga çasti në çast të hapej për filmim. Ku e dinte filmuesi se dera do të hapej në atë çast? Kush ja paska lexuar mendimet në kokë që më parë deputetit?
Kaq shumë është zhvilluar Big Brother në Kuvend sa të lexojnë mendime deputetësh në kokë!
- Veç nëse rrëmbyesi të ketë thirrur : Unë do shkoj të rrëmbej dokumentin në atë zyrën, tani! Qëndroni gati pas derës! Por, nuk ka të dhëna për këtë!
- Çfarë i duhej deputetit ta merrte dokumentin për ta lexuar kur pasi e kishte marrë në dorë mund ta lexonte aty, sipas rregullave, ku ta merrte me firmë dhe rregullisht?
- Si është e mundur që sekretarja i lë në dorë një dokument, pa i marrë më parë firmën se ai e ka lexuar, etj?
- Si është e mundur që kamera e ndjek nga pas deputetit që vrapon dhe ky megjithatë e vazhdon vrapin, ndonëse e di mirë se nuk ka ku shkon meqë po filmohej dhe se sekretarja tashmë rend pas tij duke thërritur? Pse vrapon?
- Si është e mundur që kamera përpara se të ndjekë nga pas deputetin nëpër shkallë, bën një filmim brenda në dhomë ku paraqet karrige, dokumente të hapura në tavolinë për ta treguar mirë “kontekstin” e rrëmbimit. Ku e di filmuesi që aty ka qenë një skenë “grabitjeje” e një dokument?
- Si është e mundur që sekretarja kur e ndjek nga pas “Prometeun” që ka rrëmbyer dokumentin i thotë pak a shumë: “Ndalo zotëri?”, a thua se nuk ja di emrin dhe mbiemrin deputetit, apo sikur t’i kishte hyrë një njeri nga rruga dhe t’i kishte rrëmbyer letrat?
- Kur sekretarja duket se është pas kurrizit të deputetit që vrapon, filmuesi në vend të ndjekë skenën skandaloze, ndalet, dhe si në një skenar, filmon dhomën bosh ku s’ka njeri?
- Si është e mundur që pas rënies nëpër shkallë, sekretarja ngrihet sikur të ishte prej çeliku, ngrihet me stoicizëm, dhe vazhdon ta ndjekë deputetin në një dhomë tjetër ku ka punonjës të rojës? Çfarë do deputeti që futet aty?
- Si ndodhen dy kamera rresht, njëra priste përpara derës së zyrës, sikur t’ja kishte lexuar më parë mendimet e mbrapshta, që deputeti të dilte me vrap nga dera, dhe tjetra në një kënd tjetër kap rënien e sekretares?
Këto mendime më lindin duke ndjekur videon në madia.
Po ashtu, më kaloi në kokë krejt jashtë vullnetit tim një koncept : Deep fake news!
Nuk e di, por po të ishte kështu, do të më lindta pyetja : Përse ky “teatër” i tipit 007 në mjediset e Kuvendit?
Kush ka interes?
Kohë të çuditshme kalojmë. Të çuditshme? Më e pakta!
Gjithsesi mirupafshim në video të tjera!
