Ministrat e Jashtëm të vendeve të ASEAN-it pritet të bëjnë thirrje për garantimin e lirisë së lundrimit në ngushticat ndërkombëtare, në përfundim të takimeve të zhvilluara këtë javë në Manila, të dominuara nga pasojat e luftës mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit.
Sipas një projektdokumenti, deklarata përfundimtare do të përsërisë thirrjet për vetëpërmbajtje në Lindjen e Mesme dhe do të theksojë nevojën për kalim të papenguar në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kyçe për transportin global të naftës.
Dokumenti përfshin gjithashtu, për herë të parë, formulimin për “lirinë e lundrimit dhe të fluturimit mbi ngushticat ndërkombëtare”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, paralajmëroi gjatë vizitës së tij në Manila se kontrolli iranian mbi Ngushticën e Hormuzit do të krijonte një precedent të rrezikshëm për rendin ndërkombëtar.
Ai theksoi se liria e lundrimit është një parim themelor që nuk duhet të cenohet.
Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit pas sulmeve të përbashkëta amerikanoizraelite ndaj Iranit ka shkaktuar mungesa energjie dhe rritje të çmimeve të karburanteve në shumë vende të Azisë Juglindore.
Filipinet, të cilat varen nga importet e energjisë, kanë shpallur gjendje emergjente kombëtare për shkak të krizës.
Megjithëse drafti përmend forcimin e bashkëpunimit energjetik mes vendeve të ASEAN-it, nuk janë bërë publike hapa konkretë për projekte të paralajmëruara më herët, si krijimi i një rrjeti rajonal energjetik apo mekanizma për ndarjen e rezervave të karburanteve.
Takimet në Manila u zhvilluan gjithashtu nën hijen e tensioneve në Detin e Kinës Jugore, pas një incidenti të ri mes Kinës dhe Filipineve.
Megjithatë, ambasadori kinez në Manila, Jing Quan, deklaroi se përplasjet dypalëshe nuk do të ndikojnë në negociatat për Kodin e Sjelljes në Detin e Kinës Jugore, duke shprehur besimin se marrëveshja mund të finalizohet deri në fund të këtij viti.
Edhe ministri i Jashtëm i Malajzisë, Mohamad Hasan, u shpreh optimist se dokumenti do të përfundojë deri në samitin e liderëve të ASEAN-it në nëntor.
Sipas Kinës, kodi do të fokusohet në rregullat e sjelljes në këtë rrugë ujore strategjike dhe jo në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve territoriale mes Pekinit dhe vendeve të rajonit.
Analistët, megjithatë, vlerësojnë se një kompromis i pranueshëm për të gjitha palët ka të ngjarë të jetë më tepër politik sesa detyrues në zbatim./mxh
