Last Updated on 25/07/2026 by Kesjana
**
Për herë të parë në histori, është realizuar një radiografi në orbitë, duke shënuar një arritje të rëndësishme për kujdesin shëndetësor të astronautëve gjatë misioneve hapësinore. Testi u zhvillua në prill të vitit 2025 gjatë misionit privat Fram2 të SpaceX, ndërsa rezultatet u publikuan vetëm tani në revistën shkencore Radiology.
Deri më sot, ekografia ka qenë mjeti kryesor diagnostik në misionet hapësinore, duke u përdorur për monitorimin e zemrës, organeve të tjera dhe për identifikimin e problemeve si trombozat apo dëmtimet. Megjithatë, kjo metodë kërkon trajnim të specializuar ose mbështetje të vazhdueshme nga ekipet në Tokë, çka mund të jetë e vështirë gjatë misioneve të gjata në Hënë ose Mars.
Realizimi i një radiografie në hapësirë paraqet sfida të shumta. Pajisja duhet të jetë shumë e lehtë, kompakte dhe e sigurt për përdorim në mikrogravitet, ku astronautët nuk qëndrojnë të palëvizshëm, por lundrojnë vazhdimisht.
Radiografitë u kryen nga astronautë jo profesionistë, të cilët morën vetëm katër orë trajnim. Ata përdorën një aparat dixhital portativ pa kabllo për rreze X, i ngjashëm me pajisjet që përdoren në ngjarje sportive ose në zona të largëta me mungesë infrastrukture mjekësore. Radiografia e parë ishte e një dore me unazë, një homazh për radiografinë e parë në histori të realizuar 130 vjet më parë nga fizikani gjerman Wilhelm Röntgen, i cili përdori dorën e bashkëshortes së tij, Bertha, për të demonstruar zbulimin e rrezeve X.
Përveç dorës, ekuipazhi realizoi me sukses radiografi të barkut, kraharorit, legenit dhe madje edhe të një ore inteligjente. Imazhet u analizuan menjëherë në kompjuterin e anijes dhe më pas u krahasuan në Tokë me radiografi të marra para dhe pas fluturimit.
Radiologë të pavarur konfirmuan se të gjitha radiografitë e realizuara në orbitë kishin cilësi të mjaftueshme diagnostikuese, edhe pse në disa raste pozicionimi i subjektit nuk ishte ideal.
Kjo teknologji pritet të ketë një rol kyç në misionet e ardhshme hapësinore, pasi do të mundësojë diagnostikimin e frakturave, dëmtimeve të kockave dhe ndryshimeve që shkakton mikrograviteti në organizëm, pa qenë e nevojshme kthimi i astronautëve në Tokë. Përveç kujdesit shëndetësor, pajisja mund të përdoret edhe për të inspektuar strukturën e brendshme të pajisjeve teknike gjatë misioneve në hapësirë./FC
