Vadim Ermolaev dhe gruaja e tij kanë mbetur të plagosur rëndë pas shpërthimit që ndodhi të hënën në mbrëmje, rreth orës 21:00, përpara hyrjes së një ndërtese banimi në Principatën e Monakos.
Sipas autoriteteve, kamerat e mbikëqyrjes kanë kapur autorin e dyshuar duke lënë një çantë shpine, e cila shpërtheu ndërsa ai largohej në këmbë në drejtim të Beausoleil, në territorin francez.
Vadim Ermolaev, oligarku 58-vjeçar me origjinë ukrainase që ka hequr dorë nga shtetësia ukrainase dhe ka marrë pasaportë qipriote, dhe partnerja e tij janë shtruar në spital në gjendje shumë të rëndë pasi mbetën të plagosur. Ermolaev ka pësuar djegie të rënda dhe gruaja e tij po ashtu paraqitet në gjendje kritike për jetën.
Një nga katër fëmijët e tij 13-vjeçar, u plagos gjithashtu, por më lehtë.
Pajisja shpërthyese, sipas raportimeve, përmbante fishekë plumbi.
“Me sa di unë, është hera e parë në histori që një akt i këtij lloji ndodh në Principatë”, deklaroi kreu i qeverisë së Monakos, Christophe Mirmand.
Ermolaev, i renditur i 23-ti në listën e “Forbes” të 100 njerëzve më të pasur në Ukrainë, është bërë vizitor i rregullt i kazinove në Rivierën Franceze, sipas “Nice-Matin”, ku drejton edhe një Bentley. Ai zotëron po ashtu një jaht dhe një vilë pranë Saint-Jean-Cap-Ferrat.
Sipas autoriteteve, “sjellja e familjes para se të ktheheshin në banesë nuk tregonte shenja shqetësimi. Ata ishin të relaksuar dhe nuk dukeshin të kujdesshëm”. Aktualisht nuk ka raportime për kërcënime specifike ndaj Ermolaev apo familjes së tij.
Oligarku është nën hetim në një rast të gjerë pastrimi parash që përfshin Estoninë dhe Ukrainën dhe ka qenë nën sanksione nga qeveria ukrainase që nga viti 2023, për shkak të aktivitetit të Grupit të tij “Alef” në Krimenë e pushtuar dhe lidhjeve të dyshuara me Rusinë.
Kur ka hequr dorë nga shtetësia ukrainase për të marrë atë qipriote, ai ka deklaruar: “Dua të përfitoj nga mbrojtja ndërkombëtare. Sistemi gjyqësor ukrainas, për ta thënë butë, është larg të qenit i përsosur dhe administrata tatimore nuk është objektive”.
Megjithatë, ai ka vijuar aktivitetin e tij në Ukrainë dhe në vitin 2021 ka rifilluar, me kompaninë “Alef”, ndërtimin e një kompleksi pasurish të paluajtshme në Dnipro. Po atë vit ka inauguruar termocentralin më të madh të biomasës në vend.
Sipas shërbimeve ukrainase, ai bën pjesë në të ashtuquajturin “batalioni i Monakos”, grupi i miliarderëve që u larguan drejt Principatës pas shpërthimit të luftës në Ukrainë.
Autoritetet bëjnë me dije se forcat e rendit po vijojnë kërkimet për autorin e dyshuar, i cili dyshohet se është larguar drejt Francës.
Ndërtesa e goditur ka gjashtë apartamente, ndërsa tre të plagosurit kanë qenë të vetmit persona brenda në momentin e shpërthimit. Shkallët e ndërtesës janë dëmtuar rëndë nga shpërthimi, ndërsa struktura është mbuluar me gjak./ad
