Autoritetet franceze dhe ato të Monakos po hetojnë motivet e atentatit me bombë ndaj biznesmenit ukrainas Vadim Ermolaev, ndërsa po shqyrtohen dy pista kryesore hetimore.
Një sulm i paprecedentë tronditi Principatën e Monakos mbrëmjen e 29 qershorit, duke goditur një nga zonat më të sigurta të Côte d’Azur. Një person ende i paidentifikuar dyshohet se tentoi të vriste biznesmenin ukrainas Vadim Ermolaev, duke vendosur një mjet shpërthyes artizanal të mbushur me vida dhe copëza metali, me synimin për të rritur fuqinë shkatërruese.
Sipas mediave franceze Le Figaro dhe Monaco-Matin, bomba ishte fshehur në një çantë shpine, e cila u la pranë hyrjes së ndërtesës ku ndodhej objektivi. Autori u largua më pas në këmbë drejt territorit francez, lëvizje që është regjistruar nga kamerat e sigurisë.
Biznesmeni 58-vjeçar dhe partnerja e tij mbetën të plagosur rëndë dhe u transportuan në gjendje kritike në Spitalin Pasteur në Nicë. Djali i tij 13-vjeçar u dërgua për trajtim në Spitalin Pediatrik Lenval, pasi pësoi lëndime nga shpërthimi.
Kryeministri i Monakos, Christophe Mirmand, e cilësoi ngjarjen si një incident kriminal të paprecedentë për principatën. Ndërkohë, policia e Monakos dhe ajo franceze kanë nisur një operacion të përbashkët për identifikimin dhe arrestimin e autorit.
Vadim Ermolaev, i lindur në vitin 1968 në rajonin e Dnipros, renditej i 23-ti në listën e Forbes për ukrainasit më të pasur. Pasurinë e tij e ndërtoi kryesisht në industrinë e pijeve alkoolike dhe sektorin e ndërtimit.
Ai u largua nga Ukraina pas nisjes së luftës. Më herët, emri i tij ishte lidhur me bankën estoneze Versobank, së cilës iu hoq licenca në vitin 2018 për shkelje të rregullave kundër pastrimit të parave.
Në vitin 2023, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vendosi sanksione ndaj Ermolaev, me pretendimin se ai kishte riregjistruar bizneset e tij në Krime sipas legjislacionit rus pas aneksimit të gadishullit.
Ky zhvillim ka nxitur spekulime edhe për motive politike. Kryetari i bashkisë së Fréjus, David Rachline, anëtar i partisë së Marine Le Pen, hodhi publikisht hipotezën se sulmi mund të lidhej me konfliktet e biznesmenit me autoritetet ukrainase. Megjithatë, deri tani nuk ka prova që mbështesin këtë pretendim.
Një nga pistat kryesore të hetimit lidhet me aktivitetet e djalit të biznesmenit, Artur Ermolaev./ad
