Australia ka vendosur të enjten, 26 mars, që personat që udhëtojnë me pasaportë iraniane nuk do të lejohen të hyjnë në territorin australian për qëllime turistike ose profesionale gjatë 6 muajve të ardhshëm, në kontekstin e luftës në Lindjen e Mesme.
“Konflikti në Iran ka rritur rrezikun që disa mbajtës të vizave të përkohshme mund të mos jenë në gjendje ose të mos duan të largohen nga Australia pas skadimit të vizës së tyre”, njofton Ministria e Brendshme.
Përjashtime të veçanta do të bëhen rast pas rasti, sidomos për prindërit e qytetarëve australianë.
“Shumë viza vizitorësh janë dhënë para konfliktit në Iran dhe ndoshta nuk do të ishin dhënë nëse aplikimi do të bëhej sot”, tha ministri i Brendshëm, Tony Burke. “Vendimet për qëndrime të përhershme në Australi duhet të jenë vendime të mirëmenduara nga qeveria dhe jo pasojë rastësore e një rezervimi për pushime”, shtoi ai.
Sipas të dhënave të qeverisë, mbi 85 mijë banorë australianë kanë lindur në Iran. Diaspora iraniane është e pranishme kryesisht në qytete të mëdha si Sydney dhe Melbourne.
Në mars, Australia nxiti zemërimin e Iranit duke i dhënë azil gjashtë lojtareve dhe një anëtari të stafit të ekipit kombëtar të futbollit femëror iranian gjatë Kupës së Azisë. Ato u konsideruan “tradhtare” në Iran pasi refuzuan të këndonin himnin kombëtar para një ndeshjeje.
Pesë prej tyre kthyen vendimin dhe u rikthyen në Iran, ndërsa vetëm dy mbetën në Australi. Aktivistët e të drejtave të njeriut shqetësohen se autoritetet iraniane mund të kenë ushtruar presion mbi familjet e tyre./kb
