Last Updated on 11/08/2026 by Anisa
Një 65-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë pasditen e kësaj të marte, pasi është përplasur nga një autobus në aksin nacional Delvinë-Sarandë.
Aksidenti ka ndodhur në kthesën për në fshatin Bajkaj, pranë një pike karburanti, ku autobusi i linjës Delvinë-Sarandë, me drejtues Vangjel Zoto, ka goditur 65-vjeçarin, i cili po lëvizte në këmbë.
Pas përplasjes, drejtuesi i autobusit është larguar nga vendngjarja, por është kapur më vonë nga shërbimet e Policisë së Delvinës.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Qarkullimit Rrugor të Sarandës, të cilat kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Nga testi i alkoolit rezultoi se drejtuesi i autobusit nuk kishte konsumuar alkool, pasi aparati ka shënuar 0.00 mg/l.
Ndërkohë, gjendja shëndetësore e 65-vjeçarit paraqitet e rëndë. Sipas mjekëve të spitalit të Sarandës, Vocka ka pësuar traumë të rëndë të kokës, frakturë dhe hemorragji trunore, ndërsa ndodhet në gjendje kome cerebrale.
Për shkak të gjendjes së rëndë, është vendosur transportimi i tij drejt Spitalit të Traumës në Tiranë. Helikopteri është ulur në pistën e Portit, ndërsa i plagosuri është transportuar me ambulancë drejt tij për t’u nisur më pas drejt Tiranës./ad
