Last Updated on 11/08/2025 by adminfjala
Një ngjarje tronditëse u regjistrua një ditë më parë në Gjilan ku tre persona humbën jetën pasi u qëlluan me armë zjarri nga Mefail Shkodra.
Selami Hasani, Abedin Hoxha dhe Edmond Hasani ndërruan jetë si pasojë e plagëve të marra, ndërkohë që dy shtetasit e tjerë Naim dhe Bujar Hoxha vijojnë të jenë në spital.
Lidhur me këtë ngjarje policia e Kosovës ka shpallur në kërkim Mefail Shkodrën dhe dy djemtë e tij, Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra të cilët akuzohen për veprën penale “vrasje e rëndë”.
Dy viktimat, Sekami dhe Edmond Hasani, babë e bir, ishin dy njerëz të respektuar dhe të dashur në qytetin e Gjilanit dhe prej shumë vitesh ushtronin aktivitetin e tyre si argjendarë.
Në shenjë respekti për ta, të gjithë argjendarët në Gjilan kanë ulur sot “qepenat”.
“Në shenjë solidarizimi për kolegun e tyre, argjendarët në Gjilan sot mbyllin të gjitha lokalet”, shkruajnë mediat vendase,
Lidhur me ngjarjen e një dite më parë së fundmi ka reaguar edhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla i cili ka bërë me dije se i ka dhënë urdhër Inspektoriatit Policor që të angazhohen në hetimin dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje si dhe lirimin e Kosovës një vit më parë nga qelia ku pas arrestimit për fajde u mbajt në qeli vetëm pak muaj.
“Në çdo deklarim publik dhe në çdo takim me mekanizmat që drejtoj, kam theksuar dhe kërkuar angazhimin maksimal të të gjitha strukturave për garantimin e integritetit personal dhe profesional të çdo shërbyesi publik në vendin tonë. Askush nuk është i paprekshëm apo i pandëshkueshëm veçanërisht brenda një institucioni që ka për mandat parandalimin, hetimin dhe luftimin e çdo veprimtarie ilegale në vendin tonë”, ka thënë Sveçla përmes një postimi në Facebook.
Mefail Shkodra, ashtu sikurse raportuam dhe më herët ishte një emër i njohur për drejtësinë kosovare pasi më herët ka qenë i dënuar për fajde.
Në rrjetet e tij sociale, ku shtetas nuk ngurronte të tregonte jetën e tij luksoze si dhe takimet me politikanë të ndryshëm të Kosovës. Përpos fotove të cilat tregojnë jetën e tij luksoze dhe makinat e luksit, ai shfaqet edhe krah politikanëve të lartë në Kosovë, përfshirë Albin Kurtin, Vjosa Osmanin, ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçlën, kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama apo dhe me Ramush Haradinajn.
Sakaq kujtojmë se Shkodra, së bashku me të birin, u arrestuan në qershor të vitit të kaluar pasi akuzoheshin se jepnin para me fajde dhe më pas i kërcënonin dhe i shantazhonin personat të cilëve u jepnin shumën monetare.
“Personat e arrestuar dyshohet se në këtë rast kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj viktimës me qellim të marrjes së interesit nga veprimtaria e fajdes dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme personat e dyshuar i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës në vlerën mbi 600.000 euro“, thuhej në njoftimin e 21.06.2024 të Policisë së Kosovës. m.p.
