Taulant Balla iu kërkoi partive politike që të ulen dhe t’i japin fund ngërçit të krijuar prej tre vitesh për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit. Në një prononcim për mediat, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të PS-së, Balla tha se ende s’e kanë një emër që ta mbështesin pasi presin kandidaturat.
“Kandidatura duhet të përmbushë kriteret dhe t’i japë institucionit kredibilitetin që i takon. PS nuk e ka sot një emër për shkak se jemi ende në fazën që po shprehin interesin. Të gjithë ata se mendojnë se mund të kjapin kontributin e tyre për avokat populli, fokusi sot është për tre grupet parlamentare të opozitës, prej nesër apo kur të mblidhet komisioni propozimi im është institucionalizimi i një komunikimi opozitë-maxhorancë në funksion të dhënies fund të kësaj situate të papranueshme dhe që Kuvendi s’e ka zgjedhur ende”, tha Balla.
I pyetur për propozimin e Berishës për një parlament me dy dhoma, Balla tha se një propozim për uljen e numrit të deputetëve është bërë nga kryeministri Edi Rama në Asamblenë e PS-së të mbajtur më 11 shtator. Ai tha se faza e parë ka nisur tashmë me reformimin e Komisioneve Parlamentare. Sipas tij, ligji për organizimin dhe funksionalizimin e Kuvendit, do të përfshijë specifika si edhe statusi i deputetit. Balla theksoi se këto propozime do t’i adresojnë në Komisionin e Posaçëm për Zgjedhoren, që u ngrit pak ditë më parë nëq Kuvend, ndërsa u kërkoi partive që të referojnë edhe emrat e anëtarëve.
“Kryetari Rama në mbledhjen e asamblesë në 11 Shtator, ka prezantuar disa propozime që ndërlidhen me atë që si e shohim Shqipërinë 2030 edhe në kuadër të një reforme të madhe institucionesh. Ajo që është prezantuar ka të bëjë me një reformë, e cila në njërën fazë ka filluar. Kishte të bënte me një reformim të Komisioneve të Kuvendit, por në një plan më të gjerë edhe me një propozim për një kuvend jo më 140 deputetë por me 101. Qëllimi nuk është çështje numrash por një qasje tjetër sa i përket rolit të deputetit dhe jetës parlamentare. Këtu përfshihet edhe punë intensive prej muajsh dhe është fazë përfundimtare me një ligj për organizimin dhe funksionimin e kuvendit. Jemi i vetmi institucion që nga natyra është në majën e piramidës rregullon me ligj të gjithë institucionet e tjera dhe s’ka të veten. Këtu do të përfshihet edhe ligje të tjera, si statusi i deputetit. PS të gjitha këto propozime synojnë të adresohen nga Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore”, tha Balla, duke iu bërë thirrje grupeve parlamentare që të përcjellin emrat e anëtarëve dhe t’i miratojnë ne seancën e së enjtes.”, tha Balla.
Nuk i shpëtoi pyetjes për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e marrë e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera për tunelin e Llogarasë.
“Kemi qenë të qartë se s’do të bëjmë komente mbi meritat dhe çështjet që trajtojnë institucionet e drejtësisë. PS nuk bën komente për asnjë çështje të veçantë”
Për buxhetin 2026, Balla theksoi se pritet që ta përmbyllin brenda 15 ditëve të para të dhjetorit, për t’u lënë mundësinë edhe bashkive që të miratojnë pjesën e tyre.
“Qëllimi është që brenda 15 ditëshit të parë të dhjetorit duket përmbyllur që t’i lemë kohën këshillave bashkiakë të miratojnë buxhetin.”, shtoi Balla.
Shënjestroi edhe PD-në për sulmet ndaj drejtësisë, teksa tha se: “Qasja jonë është ajo që patë në raportimin e institucioneve të pavarura në dy seancat e kaluara, ishin domethënëse për publikun se si një parti e marrë peng, e cila sulmon SPAK për shkak të dosjeve të kryetarit.”/ K.M
