Albumi i ri i “Bambole di Pezza”, i titulluar thjesht “5”, është një shpërthim energjie rok që ndërthur reflektimin me zemërimin, ironinë me brishtësinë. Një projekt i drejtpërdrejtë dhe i ngjeshur, që e vendos grupin në një fazë të re pjekurie artistike pas eksperiencës së tyre në Festivalin e Sanremos.
Që në titull, “5” mbart një simbolikë të shumëfishtë: pesë anëtaret e grupit, pesë albumet e realizuara deri më sot, por mbi të gjitha një identitet kolektiv i ndërtuar mbi dallimet. Është një ekuilibër i brishtë dhe njëkohësisht i fortë, ku individualitetet nuk fshihen, por bashkëjetojnë.
Ky album ka rrënjë të hershme. Shumë prej këngëve kanë lindur vite më parë, por morën formë përfundimtare në një moment kyç për grupin – pjesëmarrjen në Sanremo. “Ishte një nga përvojat më të rëndësishme të jetës sonë – pas Festivalit u ndjemë vërtet profesioniste”, shprehen ato.
“5” është, mbi të gjitha, një album identiteti. Në të përzihen temat që kanë shoqëruar gjithmonë grupin: diversiteti si vlerë, denoncimi i dhunës ndaj grave, nevoja për të folur pa filtra, por edhe dashuria dhe ndjenja e përkatësisë.
Albumi hapet me këngën-manifest “Effetto collaterali”, një deklaratë e qartë që sfidon normat dhe rikthen diversitetin në qendër: “Ne jemi çarja që thyen skemën”. “Gjithmonë kemi qenë ndryshe – dhe duam të ndërtojmë një familje pikërisht mbi këtë ndryshim”, thekson grupi.
Në një plan më bashkëkohor, albumi prek edhe ankthin e brezit të ri. “Saturday Night FOMO” trajton frikën e përjashtimit dhe pasigurinë për të gjetur vendin tënd në një realitet të fragmentuar. Është portreti i një rinie që lëkundet mes dëshirës për të qenë pjesë dhe ndjenjës së humbjes.
Identiteti dhe trupi femëror zënë një vend të rëndësishëm. “Nuda ma alla moda” luan me ironinë dhe përmbys stereotipet, duke afirmuar të drejtën e gruas për të zgjedhur dhe për të dëshiruar. Ndërsa “Glitter” është një këngë çlirimi dhe ringritjeje: një himn për të ecur përpara, edhe kur rrëzohesh, duke i kthyer plagët në forcë.
Pas këtij albumi qëndron edhe historia e një rruge të gjatë. Nga koncertet në bare të vogla, me amplifikatorë në duar, deri te një publik që sot i ndjek si një komunitet i vërtetë. “Jemi bërë një familje bashkë me njerëzit tanë”, thonë ato.
Turneu i ri nis më 15 prill në Milano dhe do të vazhdojë në qytete të tjera italiane si Firence, Padova, Torino, Bolonja, Roma dhe Napoli – një tjetër kapitull për një grup që vazhdon të rritet, pa hequr dorë nga thelbi i tij: muzika si identitet dhe si akt proteste.
