Last Updated on 02/04/2026 by Anisa
Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka deklaruar se mes kryeministrit Edi Rama dhe ish-kryeministrit Sali Berisha ekziston një bashkëpunim i vazhdueshëm prej vitesh, pavarësisht perceptimit publik.
Në një prononcim të fundit, Topi u shpreh se, ndonëse në publik duket ndryshe, dy liderët politikë komunikojnë dhe bashkëpunojnë përmes kanaleve të tjera.
“Pavarësisht se në publik lexohet ndryshe, por edhe për shkak se duhen 2/3 e votave për ndryshimet kushtetuese, unë e shoh që Rama-Berisha do ta vazhdojnë bashkëpunimin, sepse ‘underground’ ata bashkëpunojnë. Këtë e konstatojnë shumë njerëz në biseda të ngushta, por edhe analistë që i dëgjojmë nëpër studio. Nuk është e thënë që këta individë të takohen fizikisht, por kanë kanalet e komunikimit”, u shpreh Topi.
Ai shtoi se kjo situatë i shërben të dy palëve politike. Sipas tij, njëri është i sigurt me opozitën që ka përballë, ndërsa tjetri e njeh kufirin e veprimit dhe është i kënaqur me të.
Në vijim, Topi komentoi edhe nismën për uljen e numrit të deputetëve, duke e mbështetur atë. Ai theksoi se kjo ide nuk është e re dhe se reduktimi i përfaqësuesve në Kuvend nuk do të sillte ndryshime thelbësore në funksionimin e tij.
“Ndryshimet që pritet të vijnë nuk janë në rëndësinë e ndryshimeve të vitit 2008. Së pari për uljen e numrit të deputetëve. Unë do ta mbështesja. Rama nuk është zëri i parë që flet për këtë çështje. Shumë njerëz në mazhorancë e pëlqejnë reduktimin e numrit të deputetëve në Parlament”, tha ai.
Sipas ish-Presidentit, Parlamenti aktual mund të funksionojë edhe me një numër shumë më të vogël deputetësh.
“Është një parlament që edhe sikur ta çosh sot me 60 deputetë, nuk ndryshon asgjë. Aty ke deputetë që nuk bëjnë asgjë, veçse ulin dhe ngrenë dorën me sinjal, me mesazh. Janë më të rëndomtë se polici i trafikut. Polici i trafikut është në stres për shkak të numrit të madh të makinave në një vend pa semaforë, ndërsa ata veprojnë me mendje të ftohtë dhe e kanë sjellë Parlamentin në ditën më të zezë”, përfundoi Topi./A.D
