Bashkëshortja e muzikantit Jack White ka dorëzuar kërkesë për divorc, duke e akuzuar atë për sjellje të papërshtatshme martesore.
Sipas Daily Mail, në dokumentet gjyqësore të dorëzuara më 3 qershor në Tennessee, bashkëshortja Olivia Jean e ka përcaktuar të njëjtën ditë si datën e ndarjes, ndërsa përmes avokatëve të saj ka deklaruar se sjellja e rokstarit e bën “të rrezikshme dhe të papërshtatshme” vazhdimin e jetës së përbashkët.
36-vjeçarja kërkon gjithashtu mbështetje financiare pas ndarjes, si dhe të mbetet përfituese e policës së sigurimit të jetës.
Çifti ishte martuar në prill të vitit 2022, në një ceremoni të pazakontë gjatë një koncerti në Detroit, ku Jack White i propozoi partneres së tij në skenë gjatë interpretimit të këngës “Hotel Yorba”, duke e kthyer më pas edhe dasmën në një moment publik.
Pak muaj më vonë, ajo e kishte përshkruar këtë eksperiencë si ditën më të bukur të jetës së saj.
“Asnjë planifikim i gjatë për dasmë nuk mund të krahasohet me atë moment”, pohoi ajo asokohe.
Olivia Jean dhe Jack White ishin njohur përmes muzikës, pasi ajo kishte firmosur në label-in e tij në vitin 2009, përpara se të ndiqte karrierën solo.
White është një nga figurat më të njohura të rock-ut alternativ amerikan, i njohur fillimisht si frontmeni i grupit “The White Stripes”, përpara se të ndërtonte një karrierë solo të suksesshme dhe të fitonte disa çmime Grammy.
Ai ka qenë më parë i martuar me Meg White dhe me modelen Karen Elson, me të cilën ka edhe dy fëmijë./mxh
