Last Updated on 08/07/2026 by EL
Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona, pasi zbuloi një lokal të përshtatur për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit dhe përdorimin e lëndëve narkotike. Gjatë operacionit u sekuestruan lëndë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa, si dhe tre telefona celularë që përdoreshin për vendosjen e basteve sportive.
Në kuadër të operacionit të koduar “Vendtakimi” në pranga ranë shtetasit Z. T., 56 vjeç, pronar i lokalit, dhe G. E., 33 vjeç.
Sipas policisë, gjatë kontrollit në lokalin në bulevardin “Zhan d’Ark”, në pronësi të 56-vjeçarit, u gjetën një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe tre telefona celularë me të cilët organizoheshin baste sportive. Ndërkohë, 33-vjeçari u kap në flagrancë brenda lokalit duke vendosur baste përmes telefonit celular.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
