Policia franceze ka kryer të hënën kontrolle në ambientet e Institut du Monde Arabe në Paris, në kuadër të një hetimi ndaj ish-drejtuesit të saj, ish-ministrit të Kulturës Jack Lang, për lidhjet e dyshuara me financierin amerikan të dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein.
Sipas Prokurorisë Kombëtare Financiare të Francës, kontrolli në Institut ishte pjesë e një sërë bastisjesh të zhvilluara në disa ambiente të ndryshme. Më herët këtë muaj, prokurorët hapën një hetim paraprak ndaj Jack Lang dhe vajzës së tij, Caroline Lang, nën dyshimet për evazion fiskal, pas publikimit në Shtetet e Bashkuara të dokumenteve të reja që lidhen me çështjen Epstein.
Jack Lang, i cili ka shërbyer si ministër i Kulturës nën presidencën e të ndjerit François Mitterrand, dha dorëheqjen këtë muaj nga drejtimi i Institutit të Botës Arabe, institucion që e drejtonte prej vitit 2013. Ai ka deklaruar se nuk kishte dijeni për krimet e Epstein, pavarësisht se kishte korresponduar me të gjatë viteve 2012–2019, pra shumë vite pasi Epstein ishte dënuar për shfrytëzim prostitucioni me një të mitur. Epstein vdiq në burg në vitin 2019, në rrethana të cilësuara si vetëvrasje.
Instituti, i cili mbikëqyret nga Ministria e Jashtme franceze, nuk ka komentuar menjëherë mbi veprimet e policisë.
Si Jack Lang ashtu edhe vajza e tij kanë mohuar në mënyrë të përsëritur çdo shkelje apo përfitim financiar nga Epstein. Avokati i tyre ka deklaruar për mediat franceze se “nuk ka pasur asnjë lëvizje fondesh”.
Zhvillimet vijnë në një moment kur publikimi i miliona dokumenteve të reja që lidhen me çështjen Epstein ka sjellë pasoja edhe në Evropë. Prokuroria e Parisit ka ngritur një ekip të posaçëm për të analizuar materialet, në bashkëpunim me prokurorinë financiare dhe policinë kombëtare.
Autoritetet franceze kanë bërë të ditur se po shqyrtojnë disa raste të mundshme që mund të dalin nga këto dokumente, ndërsa hetimet vijojnë./mxh
