Në internet gjenden me dhjetëra lista muzikore të posaçme për qen dhe mace, të cilat pretendojnë se i ndihmojnë ato të relaksohen. Por sa e vërtetë është kjo?
Kur Serenity Strull, një redaktore fotografie në BBC, adoptoi qenin e saj Margot, ajo u përball menjëherë me një problem, ankthin.
“Ajo shfaqej e ndrojtur dhe e mirë me fëmijët, por shumë e pasigurt dhe nervoze me qentë e tjerë,” tregon Strull.
Në shtëpi, u bë e qartë se problemi kryesor, i Margot, një përzierje pitbulli 3-vjeçar, ishte ndarja nga pronarja.
Pas shumë përpjekjesh me trajnime dhe metoda qetësuese pa rezultat, një zgjidhje e papritur funksionoi: muzika klasike dhe pjesët instrumentale pa ritme të forta.
Një trajner i rekomandoi programin “Through a Dog’s Ear”, një seri kompozimesh të ngadalta, kryesisht për piano, të krijuara posaçërisht për të ulur stresin tek qentë.
Sipas krijuesve, që kanë vëzhguar mbi 150 qen në shtëpi dhe strehimore, më shumë se 70% e qenve në strehimore dhe 80% e qenve në shtëpi, shfaqën më pak shenja ankthi si dridhje, lehje apo ecje të pandalur, pas dëgjimit të muzikës së tillë.
Strull vuri re ndryshimin menjëherë përmes kamerave të sigurisë. Margot, e cila më herët, lehte dhe ecte nervoze kur lihej vetëm, filloi të flinte qetësisht ndërsa në sfond dëgjohej Beethoven ose Brahms.
Edhe studime të tjera e mbështesin këtë ide. Një kërkim i kryer në Universitetin e Mbretëreshës në Belfast, në Irlandën e Veriut, tregoi se muzika klasike, kishte efekt të dukshëm qetësues, tek qentë në strehimore dhe në shtëpi, sidomos në situata stresuese si vizitat te veterineri apo udhëtimet e gjata me makinë.
Studiuesit theksojnë se jo çdo muzikë klasike është e përshtatshme. Më efektive janë kompozimet me ritëm të ngadaltë (50–60 rrahje në minutë), struktura të thjeshta dhe pa instrumente me goditje të forta.
Kjo lloj muzike duket se ul nivelin e kortizolit, hormonit të stresit. Megjithatë, arsyeja biologjike nuk është plotësisht e qartë.
Sipas disa ekspertëve, tingujt e butë mund të nxisin, një gjendje të këndshme dhe relaksuese, duke ndikuar në kiminë e trurit.
Efekte të ngjashme janë vërejtur edhe te kafshë të tjera, përfshirë elefantë dhe gorilla në kopshte zoologjike, ku muzika e qetë ka ulur sjelljet agresive dhe të përsëritura, si dhe ka përmirësuar ushqyerjen dhe gjumin.
Nga ana tjetër, kafshët kanë dëgjim shumë më të ndjeshëm se njerëzit.
Qentë dëgjojnë frekuenca shumë më të larta, ndërsa macet edhe më shumë, duke i bërë shumë tinguj të zakonshëm, potencialisht stresues për ta.
Në disa eksperimente me mace, muzika klasike uli rrahjet e zemrës dhe frymëmarrjen, duke treguar efekt qetësues, ndërsa muzika e fortë si Rock-u agresiv, pati një efekt të kundërt.
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se rezultatet nuk janë universale. Studimet janë shpesh të vogla dhe të kufizuara, në ambiente stresuese si, strehimoret apo spitalet veterinare.
Në përfundim, ekspertët theksojnë se muzika mund të ndihmojë disa kafshë të qetësohen, por nuk është një zgjidhje që funksionon për të gjitha rastet.
Për çdo kafshë, efekti mund të ndryshojë dhe shpesh kërkohen teste, për të gjetur tingujt e duhur./mxh
