Last Updated on 13/05/2026 by Anisa
Shtetet anëtare bien dakord për Aktin e Barnave Kritike, që synon të nxisë prodhimin vendas.
Shtetet anëtare të BE-së do të krijojnë rezerva barnash dhe do të investojnë në prodhimin e ri të barnave kyçe, për të parandaluar mungesat dhe përsëritjen e blerjeve në panik nga jashtë, siç ndodhi gjatë pandemisë Covid-19.
Ligjvënësit dhe qeveritë ranë dakord të martën për Aktin e Barnave Kritike, që synon t’i japë fund mungesës së vazhdueshme të barnave kyçe dhe të ulë varësinë nga importet, edhe pse ka të ngjarë të rrisë çmimet.
“Pacientët nuk duhet të shqetësohen nëse barna kritike, si antibiotikët, do të jenë të disponueshme në farmaci apo spital,” tha Neophytos Charalambides, ministri i Shëndetësisë i Qipros, vend që mban presidencën e radhës të BE-së.
“Me marrëveshjen e sotme, po ndërmarrim veprime konkrete për të ulur dobësitë tona, për të diversifikuar zinxhirët e furnizimit dhe për të forcuar kapacitetin e Europës për të prodhuar barna kritike dhe përbërësit e tyre më pranë vendit.”
Autoritetet publike do të duhet të marrin parasysh sigurinë e furnizimit, jo vetëm çmimin, kur blejnë barna kritike. Qeveritë do të mund të subvencionojnë fabrika të reja për prodhimin e përbërësve ose vetë barnave, ndërsa një klauzolë e “preferencës europiane” do të nxisë prodhuesit të prodhojnë brenda bllokut.
Në listën e BE-së të barnave kritike janë më shumë se 300 produkte farmaceutike, përfshirë paracetamolin, morfinën dhe insulinën. Blloku prodhon vetëm një të katërtën e përbërësve jetikë që përdoren në produktet farmaceutike, të njohur si përbërës aktivë farmaceutikë ose API.
Kina siguron më shumë se 40% të importeve të BE-së të API-ve sipas volumit, ndërsa India edhe 20%. Gjatë pandemisë së koronavirusit, kufizimet e eksportit nga disa furnizues shkaktuan mungesa në BE, të cilat kanë vijuar. Aktualisht, 31 barna, përfshirë insulinën dhe trajtimet për astmën, janë në mungesë.
Megjithatë, sistemet shëndetësore që tashmë po përballen me vështirësi për t’i shërbyer një popullsie gjithnjë e më të moshuar dhe më të sëmurë, mund ta kenë të vështirë të financojnë prodhimin në BE kundrejt importeve më të lira.
“Nuk duhet të kemi iluzione, siguria e furnizimit dhe qëndrueshmëria e zinxhirit të furnizimit kanë një kosto,” tha një zyrtar i lartë i Komisionit.
Duke ndjekur një strategji të përdorur për blerjen e sasive të mëdha të vaksinave kundër koronavirusit gjatë pandemisë, çdo pesë ose më shumë vende të BE-së do të mund t’i kërkojnë Komisionit Europian të prokurojë barna në mënyrë të përbashkët. Vendet do të duhet të jenë transparente për rezervat, por ndarja e tyre me të tjerët do të jetë vullnetare.
Agustín Reyna, drejtor i përgjithshëm i grupit të konsumatorëve BEUC, Organizata Europiane e Konsumatorëve, tha: “Lehtësimi i blerjes së barnave së bashku nga shtetet anëtare do të mundësojë gjithashtu akses më të barabartë. Situata e sotme përmirësohet, pasi spitalet publike do të duhet të marrin parasysh sigurinë e furnizimit, krahas çmimeve të barnave, në procesin e blerjes.”
Por industria farmaceutike ka paralajmëruar se ndërhyrja e re shtetërore mund të dëmtojë konkurrueshmërinë dhe inovacionin.
Marrëveshja tani duhet të finalizohet me një votim zyrtar në Parlamentin Europian./ FT-A.D