Bashkimi Evropian ka disbursuar edhe 2,8 miliardë euro mbështetje buxhetore për Ukrainën, ndërsa blloku po përgatit masa të reja për të shtuar ndihmën ndaj Kievit.
Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se “shpejtësia dhe përkushtimi i Ukrainës në zbatimin e reformave domethënëse e kanë merituar këtë pagesë”. Fondet janë pjesë e një programi prej 50 miliardë eurosh, i krijuar për të mbështetur buxhetin shtetëror të Ukrainës teksa vendi vazhdon reformat dhe mbrohet nga agresioni rus.
Kjo është pagesa e shtatë që Ukraina merr në kuadër të kësaj skeme financimi. Ndërkohë, po shënohet përparim edhe në disa mekanizma të tjerë mbështetës të BE-së, të cilët më parë ishin bllokuar nga ish-kryeministri hungarez Viktor Orbán.
Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, tha gjatë një takimi të ministrave të Mbrojtjes në Nikozo se Ukraina mund të presë këtë muaj një disbursim prej 5.9 miliardë eurosh nga një mekanizëm i ri huaje me vlerë 90 miliardë euro, i destinuar për mbështetjen e ushtrisë dhe financave të saj.
Ministrat e BE-së kanë nisur gjithashtu diskutimet për përdorimin e 6,6 miliardë eurove nga një fond i veçantë armësh. Sipas Kallas, fondet mund të përdoren për të rimbursuar pjesërisht vendet anëtare për dërgesat e mëparshme të armëve, për blerje të përbashkëta të reja ushtarake dhe për mbështetjen e misionit evropian të trajnimit ushtarak në Ukrainë.
Po ashtu, ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të vendosin javën e ardhshme sanksione ndaj më shumë se 80 individëve dhe entiteteve për mbështetjen e tyre ndaj Rusisë. Masat synojnë sektorin ushtarako-industrial rus, shkelësit e të drejtave të njeriut dhe propagandistët pro-Kremlinit./MXH
