Pas një dekade bllokimi politik, Bashkimi Evropian ka arritur më në fund të miratojë një deklaratë të përbashkët për vendimin historik të Gjykatës së Përhershme të Arbitrazhit në Hagë lidhur me mosmarrëveshjet në Detin e Kinës së Jugut.
Deklarata u publikua nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, në emër të 27 vendeve anëtare, me rastin e 10-vjetorit të vendimit të arbitrazhit. Në të theksohet se vendimi i gjykatës është “përfundimtar dhe ligjërisht i detyrueshëm” për palët e përfshira, përfshirë Kinën.
Kallas deklaroi se vendimi i vitit 2016 përbën një moment të rëndësishëm për zgjidhjen paqësore të konflikteve ndërkombëtare dhe se ai duhet të respektohet dhe të zbatohet plotësisht nga palët.
Për dhjetë vite, kjo deklaratë ishte penguar nga Hungaria e drejtuar nga Viktor Orbán, e cila shpesh ka mbajtur qëndrime më të afërta me Pekinin brenda strukturave të Bashkimit Evropian. Budapesti kishte bllokuar disa herë përpjekjet e BE-së për të dalë me një qëndrim të përbashkët mbi këtë çështje të ndjeshme gjeopolitike.
Ndryshimet politike në Hungari dhe ardhja në pushtet e Péter Magyar kanë krijuar një klimë të re, duke lejuar që deklarata e përbashkët evropiane të miratohet pas shumë vitesh vonesë.
Në deklaratën e saj, BE-ja shprehu gjithashtu shqetësimin për rritjen e vazhdueshme të tensioneve dhe incidentet e rrezikshme në Detin e Kinës së Jugut. Unioni kundërshtoi çdo veprim të njëanshëm, që mund të dëmtojë stabilitetin dhe sigurinë në rajon.
Mosmarrëveshja për Detin e Kinës së Jugut është një nga konfliktet më të rëndësishme territoriale në Azi. Kina pretendon kontrollin mbi zona të gjera detare, ndërsa vende si Filipinet, Vietnami, Malajzia dhe Brunei kanë kundërshtuar këto pretendime. Në vitin 2016, një tribunal ndërkombëtar i ngritur pas kërkesës së Filipineve vendosi se pretendimet e Kinës për një pjesë të madhe të këtij territori nuk kishin bazë ligjore.
Vendimi i ri politik i BE-së shihet si një sinjal se Brukseli po kërkon një qëndrim më të unifikuar ndaj çështjeve të sigurisë ndërkombëtare dhe marrëdhënieve me Kinën./mxh
