Bashkimi Europian ka nisur një hetim për të vlerësuar nëse Google shkel rregullat europiane të konkurrencës duke përdorur përmbajtjen e publikuar nga media dhe krijuesit në YouTube për zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Komisioni Europian njoftoi se do të shqyrtojë nëse kompania amerikane po favorizon vetveten në dëm të konkurrentëve, duke marrë akses të privilegjuar në përmbajtje dhe duke vendosur kushte të padrejta për botuesit dhe krijuesit e përmbajtjes. Hetimi fokusohet veçanërisht tek përdorimi i përmbajtjes nga web botuesit dhe videot e ngarkuara në YouTube për trajnimin e modeleve AI, pa kompensim të drejtë për autorët dhe pa mundësinë për të refuzuar këtë përdorim.
Komisioni Europian shprehu shqetësimin se Google mund të ketë përdorur videot e YouTube për trajnimin e modeleve të tij Gemini dhe Veo3, duke mos ofruar shpërblim për krijuesit. Sipas Google, vetëm një pjesë e përmbajtjes përdoret për trajnimin e AI.
Drejtuesja për konkurrencën në BE, Teresa Ribera, theksoi se “AI po sjell inovacion të jashtëzakonshëm, por kjo nuk mund të bëhet në kurriz të parimeve themelore të shoqërisë”.
Google reagoi duke thënë se ankesa rrezikon të pengojë inovacionin dhe se do të vazhdojë të bashkëpunojë me industrinë e lajmeve dhe krijuesit gjatë kalimit në epokën e AI-së.
Ky hetim vjen pas një sërë sfidash të kompanive të mëdha teknologjike amerikane në Evropë, përfshirë gjobën prej gati 3 miliardë euro ndaj Google për favorizimin e shërbimeve të saj të reklamave dhe gjobën prej 120 milionë euro ndaj kompanisë X të Elon Musk për shkelje të rregullave të përmbajtjes online./mxh
