Last Updated on 27/11/2026 by Anisa
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zhvilluar një takim me Presidenten e re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, në Ohër, në kuadër të Samitit të Procesit të Brdo-Brijunit. Në fokus të takimit ishin marrëdhëniet mes dy vendeve, integrimi evropian i Kosovës, zgjerimi i njohjeve ndërkombëtare, anëtarësimi në NATO dhe zhvillimet që lidhen me procesin gjyqësor në Hagë.
Takimi u zhvillua në nisje të punimeve të Samitit të Procesit të Brdo-Brijunit, ku Presidenti Begaj fillimisht uroi homologen e tij për marrjen e detyrës së re. Ai shprehu besimin se përvoja e saj akademike dhe profili politik e njerëzor do të kontribuojnë në përfaqësimin me dinjitet të Kosovës dhe në forcimin e institucioneve të saj.
Kreu i Shtetit rikonfirmoi se marrëdhëniet vëllazërore me Kosovën mbeten prioriteti parësor i Shqipërisë, ndërsa theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit dypalësh dhe riaktivizimit të takimeve më të shpeshta të përbashkëta.
Begaj u shpreh se Shqipëria dhe Kosova duhet të qëndrojnë së bashku për të çuar përpara agjendën e përbashkët kombëtare, ku anëtarësimi në Bashkimin Evropian përbën një nga objektivat kryesorë. Sipas tij, të dy presidentët duhet të jenë faktorë përbashkues dhe përfaqësues dinjitozë të shqiptarëve, duke promovuar vlerat, interesat dhe aspiratat e tyre në hapësirën ndërkombëtare.
Sa i përket procesit të integrimit evropian, Presidenti Begaj deklaroi se Kosova meriton një qasje të re nga Bashkimi Evropian, duke siguruar se Shqipëria do të vijojë të mbështesë me vendosmëri dhënien e statusit kandidat dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit.
Ai vlerësoi përpjekjet e Kosovës për përmbushjen e standardeve evropiane dhe përafrimin me politikat e Bashkimit Evropian, duke rikonfirmuar mbështetjen e Shqipërisë për avancimin e saj në rrugën drejt integrimit.
Një tjetër çështje e ngritur gjatë takimit ishte zgjerimi i njohjeve ndërkombëtare të Kosovës dhe anëtarësimi i saj në organizatat ndërkombëtare. Begaj theksoi se Kosova është pjesë e çdo takimi që ai zhvillon me përfaqësues ndërkombëtarë dhe se kërkesa për njohjen e saj nga shtetet që ende nuk e kanë ndërmarrë këtë hap mbetet pjesë e agjendës së tij.
Në këtë kontekst, Presidenti kujtoi se që në takimin e tij të parë në selinë e NATO-s, në cilësinë e Presidentit të Republikës, kishte kërkuar anëtarësimin e Kosovës në Aleancë. Ai nënvizoi se Shqipëria do të vijojë të mbështesë si zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare, ashtu edhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe procesi gjyqësor në Hagë. Presidenti Begaj përcolli mbështetjen e plotë të Shqipërisë për hapat ligjorë të autoriteteve të Kosovës, si dhe për të drejtën kushtetuese për të ndërmarrë nisma ligjore lidhur me Dhomat e Specializuara, në konsultim me partnerët.
Ai rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë për një drejtësi të paanshme, duke theksuar rëndësinë e respektimit të kontekstit historik të luftës së popullit të Kosovës për liri.
Në përfundim të takimit, Begaj theksoi se promovimi i çështjeve që bashkojnë shqiptarët përtej politikës së ditës është pjesë e agjendës kombëtare. Ai shprehu besimin se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, përmes një përfaqësimi të përbashkët dhe dinjitoz në arenën ndërkombëtare, do të vijojë të kontribuojë në avancimin e aspiratave evropiane dhe euroatlantike të Kosovës./ad
