Last Updated on 18/03/2026 by Kesjana
Nga Shpëtim Luku
Para disa viteve isha i ftuar i Hetem Ramadani në Lubjanë të Sllovenisë. Në atë kohë, Ramadani ishte një biznesmen që zhvillonte një aktivitet prej qindra milionë eurosh dhe ai iu përgjigj me mjaft kortezi interesit tim profesional për ta takuar, duke më ftuar në zyrën e tij në Ljubljana.
Hetem Ramadani është një person shumë karizmatik. Thelbin e tij e përbëjnë mirësia, altruizmi dhe dëshira për të qenë i dobishëm për tjetrin. Veprime të tilla si akordimi i një shume prej 10 mijë eurosh për secilin prej 15 Artistëve të Popullit, apo edhe dhënia e 100 mijë eurove ndihmë financiare për familjet e dëmtuara nga shpërthimi i municioneve në Gërdec, janë gjeste unike dhe domethënëse. Gjatë kohës kur ushtronte biznes në mënyrë aktive, rreth 500–600 mijë euro në vit destinoheshin prej tij për qëllime filantropike.
Megjithatë, le të kthehemi tek ajo që nisa të tregoj.
Samiri, shoferi i tij, një djalë i ri boshnjak, më mori në hotel dhe më çoi në zyrën ku më priste Hetemi. Maya, sekretarja, më tha se duhej të prisja pak, sepse z. Ramadani ishte në proces meditimi. Pas pak, erdhi momenti dhe u futa në zyrën e tij.
Teksa po bënim përshëndetjet e rastit, Maya hyri sërish dhe diskutoi diçka në gjuhën sllovene, të cilën unë, sigurisht, nuk e kuptova. Por gjithçka ma sqaroi Hetemi.
“Ishte një klient që kërkonte një çmim më të ulët se ai që aplikojmë zakonisht”, më tha ai. Dhe duke më shpjeguar se e kishte dhënë aprovimin për kërkesën e klientit, shtoi një fjali lapidare, një fjali të vërtetë filozofike:
“Bëje tjetrin të lumtur, kur ke mundësi dhe kur nuk të kushton ty ndonjë gjë të madhe.”
Kjo është më shumë se një shprehje. Më shumë se një formulim. Më shumë se një veprim i rastësishëm. Nuk është predikim dhe as moralizim. Është një mënyrë të jetuari dhe të vepruari ashtu siç duhet. Është demonstrim i botëkuptimit të një njeriu që dëshiron ta jetojë jetën duke u bazuar në vlera të vërteta njerëzore.
E tillë duhet të jetë jeta. Të tillë duhet të jenë njerëzit: bashkëkohës të mirë për njëri-tjetrin.
Po çfarë do të thotë të bësh të lumtur tjetrin?
Do të thotë që nëse ke mundësi ta ndihmosh, ta bësh këtë pa marrë pozën e “të zgjuarit” apo të vigjilentit që ruhet mos ia hedh kush.
Nëse ke mundësi të ndihmosh dikë, ndihmoje pa pasur nevojë të hetosh nëse kjo do të të kthehet në mirënjohje. Sepse, siç thotë një fjalë popullore: “Bëje të mirën dhe hidhe në det.”
Kur ndalon të marrësh një furnizim për ndonjë produkt tek fermerët që kanë dalë në rrugë apo në treg, mos negocio sipas parimit që “krraba të tërheq nga vetja”. Lëri edhe atij mundësinë të marrë shpërblimin për mundin dhe djersën që ka shpenzuar për ta mbjellë, kultivuar apo nxjerrë në treg atë produkt.
Mos u ngut të thuash fjalën e keqe për tjetrin. Mos u kurse të bësh një kompliment që me siguri do ta bëjë të ndihet mirë personin të cilit i drejtohet.
Mos u bëj prepotent e arrogant vetëm pse fati, jeta apo edhe suksesi të kanë buzëqeshur. Përkundrazi, “rrafshoji” diferencat përmes thjeshtësisë dhe modestisë. Kujto gjithmonë shprehjen: “Mos u mbaj se ke, mos u mbaj se je.”
Dhe mund të vazhdoja edhe më gjatë. Sepse, nëse Shqipëria ka një atmosferë jetese si ajo që ka, kjo vjen edhe nga fakti që vetë qytetarët, me sjelljen e tyre, shpesh ia vështirësojnë jetën njëri-tjetrit.
Ndaj mos nguro. Edhe për gjëra të vogla:
Bëje tjetrin të lumtur kur ke mundësi./kb
