Last Updated on 19/02/2026 by Anisa
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u pyet sot lidhur me protestën e paralajmëruar për të premten, 20 shkurt, në orën 18:00 në rrugët dhe sheshet e Tiranës. Ai nuk dha detaje të sakta për skenarët e protestës, duke theksuar se “skenari është misteri më i madh”. Berisha përsëriti thirrjen për qytetarët që t’i bashkohen tubimit të nesërm.
Berisha akuzoi qeverinë se kryeministri Edi Rama po përpiqet të krijojë një “mburojë ligjore” që, sipas tij, do t’i lejojë Ramës dhe bashkëpunëtorëve të “vjedhin” pa u ndëshkuar nga ligji. Ai e cilësoi këtë veprim si një shkelje flagrante të Kushtetutës dhe si një “mburojë për t’i shpëtuar drejtësisë”.
Kryedemokrati u shpreh se protesta e nesërme është e rëndësishme dhe i bëri thirrje shqiptarëve të shprehin me guxim fjalën e tyre kundër qeverisë. Ai tha se vetëm vendosmëria e qytetarëve mund ta vendosë “këtë organizatë kriminale para ligjit” dhe të mbrojë të ardhmen e tyre nga “bandat armiqësore” si qeveria aktuale.
Berisha theksoi gjithashtu se protesta e fundit do të jetë një moment mbarëkombëtar si ajo e 20 shkurtit 1991, kur shqiptarët rrëzuan bustin e Enver Hoxhës në Tiranë, duke e lidhur këtë simbolikë me nevojën aktuale për ndryshim politik.
“Edi Rama merr të gjitha fuqitë. Ligji që ka paraqitur në parlament është në kundërshtimin më flagrant me Kushtetutën. Ligji është një mburojë për Edi Ramën për organizatën që kryeson që të vjedhë duke i shpëtuar dhe duke qëndruar mbi ligjin.
Sot e tutje shqiptarët do të vidhen çdo ditë nga një grup që sillet ndaj tyre pa mëshirë. Do keni mburojë ligjin. Këta po përdorin pushtetin sit ë ishin pushtuesit më të rregullt të shqiptarët. Ftoj shqiptarët të thonë fjalët e tyre me guxim epik nesër në orën 18:00 në rrugët dhe sheshet e Tiranës.
Vetëm vendosmëria e qytetarëve do të vendosë këtë organizatë kriminale para ligjit. Do mbrojë të ardhmen e tyre nga një bandë armiqësore si këta. Kur janë me të huajt këta e qepin gojën dhe nuk thonë asnjë fjalë”, tha Berisha.
Në kontekstin e tensioneve të brendshme politike, protesta e nesërme vjen ndërsa opozita kundërshton ndryshimet ligjore të propozuara në parlament që, sipas tyre, minojnë pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe mbrojnë zyrtarët nga hetimet penale./A.D
