Last Updated on 20/06/2026 by Anisa
Gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit në rrjete sociale, Sali Berisha, kur u pyet lidhur me thirrjet e protestuesve, “Rama n’burg, Berisha n’burg”, tha se ato bëhen nga opozita e opozitës duke nënkuptuar partitë e reja politike.
“Unë dhashë një shpjegim, kjo është thjesht një thirrje e atyre që nuk u bënë dot opozitë për shkak të lidhjeve me qeverinë dhe bëjnë opozitën e opozitës. Për të mos thënë tjetrën, që dy ditë më parë, Taulant Balla Yaris deklaroi se ai është promotori i kësaj thirrje. Unë, natyrisht nuk impresionohem nga një thirrje e tillë, as nga përpjekja për të mbrojtur Edi Ramën duke përdorur emrin e Sali Berishës. Këto janë gjëra krejtësisht të parëndësishme në raport me gjigantin, me uraganin rinor qytetar. Dhe qëndrimi im ka qenë ndaj të gjithë demokratëve, që kurrë degëzat, gjethet nuk duhet të na pengojnë të shohim trungun madhështor të kësaj proteste”, tha kryedemokrati.
Berisha, deklaroi se mbështet plotësisht protestën masive të qytetarëve që po zhvillohet në Tiranë, duke theksuar se 5 kërkesat e protestuesve përkojnë me betejat e opozitës ndër vite.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, ai u pyet lidhur me qëndrimin e tij ndaj protestës dhe pretendimeve për politizim.
“Absolutisht asnjë përpjekje. Garantoj që nuk është bërë asnjë përpjekje. Por mos harro një gjë: kemi 13 vite që protestojmë kundër Edi Ramës… dhe 5 kërkesat e protestuesve janë njëkohësisht edhe kërkesat tona”, tha Berisha.
Ai u bëri thirrje mbështetësve të Partisë Demokratike nga e gjithë Shqipëria që të marrin pjesë në protestë.
“Edhe sot shfrytëzoj rastin të bëj thirrje anëtarëve dhe mbështetësve të Partisë Demokratike nga Pogoni, Kakavija, në Vermosh dhe në Valbonë, të vërshojnë drejt Tiranës në protestën më madhështore të kombit. Qytetare, rinore, jo partiake”, u shpreh Berisha.
I pyetur se si i sheh qendrimet e Ramës ndaj protestave të mbajtura prej më shumë se dy javësh, Berisha i përkufizoi si trillime e se sipas tij, kryeministri ka përgjegjësi direkte lidhur me çështjen e Zvërnecit.
Më tej, Berisha u shpreh se Rama ka dhënë leje ndërtimi pa u bërë vlerësimi i mjedisit, teksa shtoi se fajin nuk e kanë algoritmet apo influencerat (të cilët u prekën nga vetë kryeministri Rama gjatë fjalës së tij në mbledhjen e grupit parlamentar të PS).
