Last Updated on 19/03/2026 by Kesjana
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dhënë një prononcim për mediat nga Brukseli, ku ndodhet prej dy ditësh pasi mori pjesë në punimet e samitit të Partisë Popullore Europiane (PPE).
“Gjatë kësaj periudhe këtu pata rastin të takoj kryeministra, të takoj miq, të takoj drejtuesit edhe njëherë të PPE, të paraqes shkurtimisht zhvillimet në Shqipëri…”, u shpreh Berisha.
I pyetur nga gazetarët se si i kanë pritur drejtuesit e PPE-së, me të cilët është takuar, zhvillimet në Shqipëri, Berisha u përgjigj se Shqipëria është bërë ‘famëzezë’ dhe se po rritet gjithnjë e më shumë mbështetja për opozitën shqiptare dhe masat ndëshkuese për qeverinë e Edi Ramës.
“Zhvillimet në Shqipëri janë zhvillime dramatike të cilat në çdo aspekt e nxjerrin Shqipërinë jashtë hapësirës evropiane. Pra, Shqipëria me këto zhvillime spostohet diku nga Maghrebi ose më thellë në hapësira të tjera. Besoj se ishte edhe një rast për të shprehur falënderimin për misionin faktmbledhës që solli PPE në Shqipëri, por edhe Parlamenti Evropian.
Në këtë aspekt mendoj se është bërë një punë shumë e madhe eficente për të bërë prezent realitetin e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Evropë, regjimit të Edi Ramës, i cili tani pas shndërrimit të zgjedhjeve në një farsë elektorale, dhe e pranuar kjo universalisht. Ju besoj se e dëgjuat se dje, një nga institucionet më prestigjioze në botë të vlerësimit të standardeve të demokracisë, Videm, e klasifikoi Shqipërinë autokraci elektorale. Autokraci elektorale do të thotë diktaturë autoritare.
Pra, në këtë kuadër, Shqipëria e Edi Ramës është bërë famëzezë. Dhe dua të garantoj shqiptarët se gjithnjë e më shumë mbështetja për opozitën shqiptare bëhet më e madhe dhe dënimi dhe masat ndëshkuese për qeverinë vijnë në rritje.”, u shpreh kryedemokrati./kb
