Last Updated on 16/04/2025 by adminfjala
Avokati Idajet Beqiri deklaroi në një emision televiziv se Sali Berisha nuk ka asnjë shans që t’i hiqet “non grata” në SHBA, edhe pse në kuadër të fushatës së tij elektorale ka përfshirë persona me të kaluar të errët, si Paul Manafort, i dënuar për mashtrim dhe i lidhur me oligarkë rusë.
Beqiri u shpreh se rasti i Berishës është krejtësisht ndryshe nga ai i shefit të kabinetit të Viktor Orban në Hungari, pasi për Berishën, “non grata” është vendosur për korrupsion të rëndë shtetëror, ndaj dhe nuk ka asnjë mundësi të anulohet.
Ai akuzoi konsulentët Chris LaCivita dhe Paul Manafort për përfshirje në një rrjet pastrimi parash që arrin deri në 70 milionë dollarë. Sipas tij, është urgjente që të bëhet publike kontrata e firmosur me PD-në, për të kuptuar burimin dhe përdorimin e këtyre fondeve.
“Nuk ndodh kurrë që t’i hiqet ‘non grata’ Sali Berishës. Sepse kur ata në SHBA vendosën ‘non gratën’ për Berishën dhe familjen e tij, morën parasysh korrupsionin madhor”, – u shpreh Beqiri.
Ai theksoi se do të ketë kallëzim penal edhe në SHBA, veçanërisht për LaCivita, për të cilin tha se është “bërë qesharak” dhe duhet të zbardhë kontratën me PD-në.
“LaCivita është bërë qesharak dhe për lekë ai vret edhe babanë e vet. Ato lekë nuk do i gëzojë, sepse janë të paligjshme. Ai duhet ta zbardhë si i merr paratë, ku i merr, sa ka marrë.”
Beqiri përmendi shifra të kontratës, duke deklaruar se LaCivita ka marrë 15 milionë dollarë, ndërsa Manafort 20 milionë, dhe se pjesa tjetër shkon në shpenzime të errëta, që kërkojnë hetim.
Sipas tij, kjo situatë duhet të ngrejë alarmin edhe për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili ka detyrim të kërkojë transparencë financiare, pasi ka një mospërputhje të thellë me fondet publike që u jepen partive në zgjedhje.
“KQZ ka dhënë vetëm 1 milion dollarë për fushatën e partive, ndërsa këta kanë 70 milionë. Ku i gjetën këto para?”
Beqiri përfundoi duke paralajmëruar se do hapet një proces penal në SHBA, si pasojë e këtyre zhvillimeve dhe se nuk ka asnjë mundësi që “non grata” ndaj Berishës të hiqet, duke pasur parasysh akuzat serioze për korrupsion dhe bashkëpunim me figura të dënuara ndërkombëtarisht./ S,M