Last Updated on 07/05/2026 by Monika
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se politikat fiskale në vend kanë ndikuar negativisht në ekonominë shqiptare, gjatë një tryeze të Departamentit të Ekonomisë dhe Financës në PD.
Berisha u shpreh se Shqipëria prodhon rreth 1 milion ton naftë dhe ka akses të drejtpërdrejtë në porte, por sipas tij çmimi final i karburantit mbetet i lartë në treg. Ai e krahasoi situatën me Maqedoninë e Veriut, duke thënë se pavarësisht mungesës së prodhimit dhe daljeve në det, çmimi atje është më i ulët për shkak të taksave më të reduktuara.
Ai theksoi gjithashtu se kostoja e punës për një litër naftë në Shqipëri është disa herë më e lartë se në vende si Gjermania dhe Holanda, duke e cilësuar këtë si një problem serioz për konkurrueshmërinë ekonomike.
Sipas tij, politikat aktuale fiskale kanë krijuar një sistem që favorizon informalitetin dhe pengon zhvillimin ekonomik. Berisha akuzoi qeverinë se ka ndikuar në rritjen e korrupsionit dhe në deformimin e tregut.
Ai u ndal edhe te skema e pensioneve, duke e cilësuar informalitetin si një nga problemet kryesore që ndikon në financimin e saj. Sipas tij, ulja e taksës sociale dhe reformimi i sistemit fiskal do të ndihmonin në formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e investimeve.
Berisha theksoi se shteti duhet të ndërmarrë reforma të thella ekonomike, duke e përshkruar situatën aktuale si të paqëndrueshme dhe problematike.
“Ne prodhojmë rreth 1 milion ton naftë, ne kemi porte dhe e marrim direkt në porte, e shesim 2.2 euro. Maqedonia, pa porte dhe pa naftë, e shet 1.5 euro, sepse taksa që vendos qeveria mbi naftën është ndër më të lartat në botë.
Për një litër naftë, kostoja e punës në Shqipëri është 8 herë më e lartë se në Gjermani, në Holandë dhe vende të tjera.
Pra, është ndjekur një politikë që një sistem kolonial do ta kishte lakmi. Këta nuk janë të huajt, janë më të këqij se të huajt, sepse kanë shkelur në tokën e tyre dhe vjedhin vendin e tyre në mënyrë të pandalshme.
Skema e pensioneve është burimi bazë. Informaliteti diktohet nga korrupsioni, diktohet nga taksat e larta, diktohet nga i gjithë mjedisi i krijuar. Ndaj, ne jemi në një luftë të egër me informalitetin dhe do të bëjmë gjithçka për të rritur mbledhjen e kontributeve dhe për të ulur taksën sociale.
Ulja e taksës sociale është një nga rrugët më të sigurta për të ulur informalitetin dhe për të nxitur prodhimin dhe investimet, e me radhë. Shteti duhet të këpusë nyjen gordiane, nuk mund të pranohet më kjo situatë dramatike”, tha Berisha./mxh
