Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian (BE) dhe negociatorët e Parlamentit Evropian ranë dakord sot të ndalojnë aplikacionet e inteligjencës artificiale (IA) që përdoren për krijimin e përmbajtjeve të seksualizuara “deepfake” pa pëlqim.
“Marrëveshja e sotme për Aktin e IA-së mbështet ndjeshëm kompanitë tona duke ulur kostot administrative të përsëritura”, tha në një deklaratë Marilena Raouna, zëvendësministre për çështje evropiane e Qipros Greke.
“Propozimi është pjesë e paketës legjislative të ashtuquajtur ‘Omnibus VII’ në kuadër të agjendës së thjeshtimit të BE-së. Paketa përfshin propozime për dy rregullore që synojnë thjeshtimin e kornizës legjislative digjitale të BE-së dhe zbatimin e rregullave të harmonizuara për IA-në”, thuhet në deklaratë.
Deklarata shtoi se dispozita e re ndalon “praktikat e IA-së lidhur me gjenerimin e përmbajtjeve seksuale dhe intime pa pëlqim ose materialeve të abuzimit seksual ndaj fëmijëve”.
Marrëveshja e përkohshme vendos gjithashtu afate të reja për rregullat e shtyra mbi sistemet e IA-së me rrezik të lartë: 2 dhjetor 2027 për sistemet e pavarura dhe 2 gusht 2028 për IA-në e integruar në produkte, thuhet në deklaratë.
Ajo gjithashtu kërkon që ofruesit të regjistrojnë sistemet e përjashtuara në bazën e të dhënave të BE-së për sistemet me rrezik të lartë dhe rikthen standardin e domosdoshmërisë strikte për përpunimin e të dhënave sensitive personale me qëllim zbulimin dhe korrigjimin e paragjykimeve.
Deepfake është një përmbajtje (video, foto ose audio) e krijuar ose e manipuluar me inteligjencë artificiale.
