Janë 53 deputetë socialistë që hyjnë rishtas në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, shumica në moshë të re. Në grupin parlamentar socialist është akumuluar shumë ambicie për karrierë, një realitet ku bashkëjetojnë disa shtresa ndër të cilat: veteranët, ata me përvojë më shumë se një mandat dhe deputetët e rinj. Janë modele që i qasen në mënyra të ndryshme politikës, grupit parlamentar dhe përvojës që kanë gjetur aty. Disa tentojnë t’i afrohen “veteranëve”, të tjerë ende nuk e kanë gjetur veten në sallën shpesh kaotike të Kuvendit, ndërsa ka edhe nga ata që nuk e preferojnë aspak mentorimin.
Një prej tyre është Besa Spaho, deputetja e Korçës në listën e hapur, e cila zhvilloi një betejë të fortë në zgjedhjet e rreth një viti më parë, duke spikatur me një numër të konsiderueshëm votash. Inxhiniere ndërtimi në profesion, ajo ka vizatuar qartësisht konturet e projektit të saj politik.
Nuk është e atij modeli që tenton t’i afrohet publikut përmes videove virale, as nga ata që përfshihen në kaosin e parlamentit për të dëshmuar devotshmëri në beteja të panevojshme me një opozitë të çorientuar. Ajo ka projektuar një rrugëtim ngjitjeje të qetë dhe të natyrshëm në shkallët e karrierës politike.
Në një intervistë për “TemA”, Besa Spaho flet për sfidat e kalimit nga angazhimi në pushtetin vendor drejt aulës së parlamentit, për përballjen me dinamikat e një salle shpesh kaotike, si dhe për raportin me kolegët e rinj dhe ata me përvojë në Partinë Socialiste, por edhe me përfaqësuesit e opozitës. Ajo ndalet gjithashtu te modelet e ndryshme brenda grupit parlamentar socialist dhe te mënyra se si e koncepton vetë rolin e saj. Vlerëson kontributin e grave në politikë dhe veçon si model suksesi deputeten socialiste Arta Daden.
Besa Spaho ka një karrierë të spikatur në pushtetin vendor, deri në detyrën e nënkryetares së Bashkisë së Korçës. Në zgjedhjet e majit të vitit të shkuar, ishte hera e tretë e saj në garë për t’u zgjedhur deputete kur edhe fitoi mandatin si deputete e listës së hapur. Thotë se është rritur në Partinë Socialiste dhe e njeh organizimin dhe funksionimin e saj në detaje, edhe për faktin se i ati ka qenë kryetar i Partisë Socialiste në Korçë.
Besa Spaho beson se pika e saj e fortë është komunikimi dhe lidhja me elektoratin, ndërkohë që nuk e konsideron të domosdoshëm mentorimin nga deputetët me përvojë në Kuvendin e Shqipërisë. Duke shprehur respekt për kontributin e tyre, ajo thekson se nuk ka një komunikim të afërt me deputetët “veteranë”, pasi preferon që angazhimin dhe ndërveprimin në sallën e Kuvendit ta ketë kryesisht me grupin e deputetëve të rinj, ku edhe bën pjesë.
Pa inate dhe larg toneve agresive që shpesh shoqëron seancat parlamentare, Spaho flet me konsideratë për kolegët e rinj të opozitës. Thotë se aty ka kapacitete, por vlerëson se aktivizimi i tyre mbetet i kufizuar nga një lidership që, sipas saj, pengon frymën e re dhe nuk i hap rrugë ndryshimit./Tema
