Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për ndalimin e menjëhershëm të sulmeve ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile, në një kohë kur konflikti në Ukrainë vijon të përshkallëzohet.
Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, tha se Guterres mbetet thellësisht i shqetësuar për situatën dhe theksoi se sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare humanitare, pavarësisht se ku ndodhin.
Dujarric iu referua edhe sulmit ukrainas ndaj rajonit të Krasnodarit në Rusi. Gjatë natës së 24 gushtit, forcat ukrainase kryen një sulm masiv në këtë rajon.
Sipas autoriteteve ruse, një strukturë private për fëmijë në Krasnodar u dëmtua, duke shkaktuar vdekjen e tre fëmijëve. Dy të rritur dhe gjashtë fëmijë u plagosën dhe u dërguan në spital.
Gjithashtu, një ndërtesë pesëkatëshe banimi u dëmtua dhe dy gra mbetën të plagosura. Komiteti Hetues i Rusisë njoftoi nisjen e një çështjeje penale nën akuzat për terrorizëm./ad
