Bashkëthemeluesi i Fondacionit Gates, Bill Gates, vlerësoi rolin transformues të inteligjencës artificiale në shërbimet publike, gjatë një paneli për shëndetësinë në Forumin Ekonomik Botëror, të mërkurën, më 21 janar.
Gates tha se përdorimi i duhur i inteligjencës artificiale mund të përmirësojë ndjeshëm funksionimin e sistemeve publike, veçanërisht në shëndetësi, duke ulur listat e pritjes dhe duke lehtësuar ngarkesën e punës për mjekët.
Ai përmendi si shembull Shërbimin Kombëtar Shëndetësor të Britanisë së Madhe, duke theksuar se nëse teknologjia e AI do të përdorej siç duhet, ajo mund të përmbushte pritshmëritë e qytetarëve për shërbime më të shpejta dhe më efikase.
Gjatë diskutimit, moderatorja e panelit, Sara Eisen, sugjeroi me humor se Gates duhet t’ia përcjellë këtë mesazh edhe Presidentit amerikan Donald Trump, duke nënkuptuar se përdorimi i AI mund të ndikojë edhe në rezultate zgjedhore.
Në përgjigje, Gates u shpreh se Trump, i cili ndodhet në mandatin e tij të dytë presidencial, “nuk supozohet të kandidojë sërish”, duke e cilësuar temën si të ndërlikuar./mxh
