Teksa numri i lindjeve në Kinë vazhdon të bjerë dhe popullsia plaket me ritme të shpejta, bizneset po orientohen gjithnjë e më shumë drejt asaj që njihet si “ekonomia e argjendtë”, tregu i produkteve dhe shërbimeve për të moshuarit.
Në Panairin Ndërkombëtar të Kujdesit për të Moshuarit, Rehabilitimit dhe Shëndetësisë, të mbajtur javën e kaluar në Shangai, më shumë se 600 kompani prezantuan produkte të përshtatura për nevojat e popullsisë në moshë.
Mes tyre ishin pajisje rehabilitimi, shtretër inteligjentë për kujdes shëndetësor, sisteme monitorimi të rrezikut të rrëzimit, terapi me dridhje dhe produkte të tjera të specializuara. Rënia e lindjeve po i detyron shumë kompani të ndryshojnë strategji. Disa produkte që më parë ishin krijuar për fëmijët po ridizenjohen për të moshuarit.
Një përfaqësuese e kompanisë Kangaroo Care tha se pajisja e tyre për pastrimin e dhëmbëve të pacientëve të pafuqishëm ishte projektuar fillimisht për fëmijë, por tani fokusohet te të moshuarit.
“Pleqtë dhe fëmijët në fakt janë mjaft të ngjashëm në nevojat që kanë”, tha një shitëse e teknologjive arsimore, duke shpjeguar se kompania e saj zhvillon produkte si për fëmijët ashtu edhe për të moshuarit.
Ndërkohë, kompani që tradicionalisht operonin në sektorë të tjerë po hyjnë në tregun e kujdesit për të moshuarit. Gjiganti shtetëror i hekurudhave CRRC prezantoi shtretër inteligjentë për kujdesin afatgjatë, ndërsa prodhuesi i pajisjeve shtëpiake Haier po promovon produkte të përshtatura për personat me lëvizshmëri të kufizuar.
Autoritetet kineze e shohin “ekonominë e argjendtë” si një burim të ri rritjeje ekonomike, në një kohë kur kriza e pasurive të paluajtshme dhe ngadalësimi i konsumit po rëndojnë ekonominë.
Qeveria vlerëson se ky sektor mund të arrijë vlerën e 30 trilionë juanëve (rreth 4.4 trilionë dollarë) deri në vitin 2035. Sipas të dhënave zyrtare, numri i lindjeve në Kinë ka rënë me më shumë se gjysmën që nga viti 2015 dhe vitin e kaluar arriti nivelin më të ulët që nga themelimi i Republikës Popullore në vitin 1949.
Kjo po i shtyn bizneset që tradicionalisht fokusoheshin te produktet për foshnjat dhe fëmijët të kërkojnë mundësi të reja te konsumatorët e moshuar. Ndryshimi po reflektohet edhe në sjelljen e vetë të moshuarve.
Organizatat e pensionistëve raportojnë se ata po i kushtojnë më shumë rëndësi mirëqenies fizike dhe mendore, duke ndjekur kurse edukimi, aktivitete sportive dhe programe sociale. Për Kinën, plakja e popullsisë konsiderohet një nga sfidat më të mëdha afatgjata. Por për shumë kompani, ajo po kthehet gjithashtu në një nga mundësitë më të mëdha të biznesit./ Financial Times-a.d
