Bombardues strategjikë rusë Tu-95, të aftë për të mbajtur armë bërthamore, kanë kryer një fluturim të planifikuar mbi ujërat neutrale të Detit të Norvegjisë dhe Detit Barenc, në rajonin e Arktikut. Lajmi u konfirmua nga Ministria e Mbrojtjes e Rusisë.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë disa fazave të itinerarit, avionët rusë u shoqëruan nga avionë luftarakë të vendeve të huaja, përfshirë shtete anëtare të NATO-s. Fluturimi zgjati më shumë se shtatë orë dhe u monitorua nga forcat ajrore të vendeve përkatëse.
Moska thekson se këto fluturime zhvillohen rregullisht në rajone të ndryshme të botës dhe janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Në javët e fundit, edhe Japonia dhe Koreja e Jugut kanë reaguar ndaj fluturimeve të avionëve ushtarakë rusë dhe kinezë pranë hapësirës së tyre ajrore, duke ngritur në ajër avionë luftarakë për monitorim.
Ndërkohë, media ukrainase RBC-Ukraine raporton se janë publikuar transkripte të bisedave mes presidentit rus Vladimir Putin dhe ish-presidentit amerikan George W. Bush, të cilat tregojnë se Kremlini kishte shprehur kundërshtim të qartë ndaj anëtarësimit të Ukrainës në NATO që në vitin 2001.
Sipas dokumenteve të National Security Archive, Putin kishte paralajmëruar se një zgjerim i NATO-s drejt Ukrainës do të krijonte tensione afatgjata me Rusinë dhe do të përbënte kërcënim për sigurinë e saj. Në vitin 2008, ai kishte paralajmëruar gjithashtu për një konflikt të mundshëm mes Rusisë dhe SHBA-së dhe për rrezikun e përçarjeve të brendshme në Ukrainë.
Moska vijon të kundërshtojë anëtarësimin e Ukrainës në NATO, duke e konsideruar atë një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes me Perëndimin./kb