Bordi i Paqes i udhëhequr nga SHBA-ja pret që ushtria izraelite të tërhiqet plotësisht, nga Rripi i Gazës vetëm pasi Hamasi të jetë çarmatosur.
“Ndryshe nga raportimet e pasakta, theksojmë se tërheqja e Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) përtej vijës së verdhë, do të ndodhë vetëm pasi procesi i çarmatosjes të ketë përfunduar, siç është rënë dakord nga Hamasi me ndërmjetësit”, shkroi Bordi në platformën X.
Sipas tij, kjo vlen për armët e lehta, armët e rënda dhe rrjetin e tuneleve të Hamasit.
Deklarata vjen pasi presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi javën e kaluar se ishte arritur një marrëveshje për çarmatosjen e grupit palestinez Hamas.
Sipas planit të publikuar nga Bordi i Paqes, Hamasi do t’ia dorëzonte armët një administrate të përkohshme palestineze.
Megjithatë, Hamasi ka deklaruar se zbatimi i planit, varet nga ndalimi i operacioneve ushtarake izraelite në Gaza.
Grupi ka thënë gjithashtu se do të dorëzonte armët e rënda, vetëm nëse forcat izraelite tërhiqen plotësisht nga territori bregdetar dhe krijohet një shtet palestinez.
Izraeli ka këmbëngulur se do të tërhiqet nga Gaza vetëm pasi Hamasi të jetë çarmatosur plotësisht, duke kundërshtuar çdo mundësi që armët të mbeten në territor.
I ashtuquajturi “Bordi i Paqes”, ku bëjnë pjesë vende si Bjellorusia, Arabia Saudite, Katari dhe Turqia, u krijua në fillim të vitit, për të zbatuar një plan paqeje për Gazën të ndërmjetësuar nga Trump.
Nisma është shumë e diskutueshme, pasi disa vende, përfshirë Gjermaninë, e konsiderojnë atë si një organ rival të Kombeve të Bashkuara (OKB)./mxh
