Konsumatorët në eurozonë parashikojnë që inflacioni të mbetet i lartë për një periudhë të gjatë, si pasojë e goditjes së çmimeve të naftës të shkaktuar nga lufta në Iran, raportoi sot Banka Qendrore Evropiane (BQE), duke iu referuar një sondazhi të fundit.
Sipas të dhënave, mesatarisht në muajin prill, qytetarët kanë pritur një normë inflacioni prej 4% për 12 muajt e ardhshëm, tha BQE-ja.
Çmimet e energjisë janë rritur ndjeshëm, që nga fillimi i luftës në Iran më 28 shkurt, ndërsa ndikimi është ndjerë, kryesisht në rritjen e çmimeve të karburanteve në pikat e furnizimit me benzinë.
“Pasiguria mbi pritshmëritë e inflacionit për 12 muajt e ardhshëm ka mbetur në një nivel të lartë të pandryshuar”, thuhet në deklaratën e bankës.
Sondazhi, gjithashtu tregoi se konsumatorët presin një inflacion të lartë edhe në planin afatmesëm.
Ata parashikojnë një normë mesatare inflacioni prej 2,9% për tre vitet e ardhshme, nga 3% që ishte në mars.
BQE-ja synon një normë inflacioni afatmesme prej 2% në eurozonë, të cilën e konsideron si pikë referimi për stabilitetin e euros.
Lufta në Iran ka nxitur inflacionin në eurozonë në 3% në prill, dukshëm mbi objektivin e bankës.
Si pasojë, Banka Qendrore Evropiane është nën presion për të ndërhyrë. Tregjet financiare presin që BQE-ja të rrisë normat e interesit, për herë të parë këtë vit, në mbledhjen e saj më 11 qershor.
Rritja e normave të interesit do ta bënte më të shtrenjtë huamarrjen për qytetarët dhe bizneset, duke ulur kërkesën dhe ndihmuar në frenimin e inflacionit.
Megjithatë, kjo do të rriste presion mbi ekonominë, tashmë të dobësuar të eurozonës, e cila po përballet me pasojat e luftës në Iran.
Sondazhi i BQE-së për pritshmëritë e konsumatorëve, u krye online me rreth 19 000 pjesëmarrës nga 11 vende të eurozonës, përfshirë Gjermaninë, Spanjën, Francën dhe Italinë.
Sondazhi më i fundit është zhvilluar mes 2 prillit dhe 4 majit, ndërsa rezultatet përdoren nga banka për analizat e politikës monetare/mxh
