Banka Qendrore Europiane (BQE) rriti të enjten normat e interesit me 0.25 pikë përqindjeje, duke e çuar normën e depozitave në 2.5%, në përpjekje për të frenuar rikthimin e presioneve inflacioniste në Eurozonë. Kjo është rritja e dytë e normave gjatë këtij viti.
Vendimi ishte gjerësisht i pritshëm nga tregjet dhe vjen pasi rritja e fortë e çmimeve të naftës dhe gazit e çoi inflacionin në Eurozonë mbi 3% gjatë muajit të kaluar, dukshëm mbi objektivin prej 2% të BQE-së. Përshkallëzimi i konfliktit me Iranin dhe kufizimet në furnizimet energjetike kanë shtuar shqetësimet se çmimet e larta të energjisë mund të fillojnë të përhapen edhe te mallrat dhe shërbimet e tjera.
“Perspektiva mbetet shumë e pasigurt, me rreziqe në rritje për inflacionin dhe në rënie për rritjen ekonomike”, deklaroi BQE pas mbledhjes së Këshillit Drejtues, e zhvilluar këtë herë në Berlin. BQE rriti gjithashtu parashikimin për inflacionin. Banka pret tashmë që rritja mesatare e çmimeve të jetë 3.0% në vitin 2026 dhe 2.5% në vitin 2027.
Në të njëjtën kohë, parashikimi për rritjen ekonomike të Eurozonës këtë vit u përmirësua lehtë në 0.9%, nga 0.8% që vlerësohej në qershor. Norma e depozitave prej 2.5% ndodhet tashmë në kufirin e sipërm të intervalit që politikëbërësit e BQE-së e konsiderojnë “neutral”, pra një nivel që në teori as nuk nxit dhe as nuk frenon ekonominë./mxh
