Ndeshja çerekfinale e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Belgjikës nuk solli emocione vetëm në fushë, por edhe një paradë të vërtetë yjesh në tribunat e stadiumit në Los Angeles.
Në qendër të vëmendjes ishin çifti i njohur i Hollywood-it, Penélope Cruz dhe Javier Bardem, të cilët e ndoqën sfidën së bashku me miqtë dhe familjarët. Pranë tyre u shfaq edhe Brad Pitt, i shoqëruar nga partnerja e tij, Ines de Ramon.
Aktori fitues i çmimit “Oscar” tërhoqi menjëherë vëmendjen pasi kishte veshur një fanellë të kombëtares së Shteteve të Bashkuara, pavarësisht se SHBA-ja ishte eliminuar pikërisht nga Belgjika. Ines de Ramon, e cila ka rrënjë familjare spanjolle, dukej se e kishte më të qartë skuadrën që mbështeste.
Në tribunën VIP ndodhej gjithashtu kitaristi i grupit Oasis, Noel Gallagher, i cili përfaqësoi me krenari tifozët anglezë. Cruz dhe Bardem kanë ndjekur Spanjën edhe në ndeshje të tjera të turneut, ndërsa më herët kishin pritur në tribunën e tyre edhe këngëtaren Rosalía.
Belgjika u përfaqësua në stadium nga mbreti Philippe, së bashku me drejtues të Federatës Belge të Futbollit./mxh
