Në një nismë të fundit, qeveria britanike ka publikuar udhëzime të reja për përdorimin e ekraneve nga fëmijët e vegjël, duke këshilluar që fëmijët nën 2 vjeç të mos përdorin fare pajisje digjitale, ndërsa ata nga 2 deri në 5 vjeç të kufizohen deri në një orë në ditë. Sipas ekspertëve, përdorimi i zgjatur i ekraneve mund të ndikojë negativisht në gjumë dhe të zëvendësojë lojën dhe aktivitetin fizik.
Një nëna britanike, Alexis Montastier, tha për TV Klan se mesazhet e përziera të mëparshme e kanë bërë të vështirë ndjekjen e këshillave, dhe mirëpret këtë udhëzim më të qartë “zi mbi të bardhë” nga qeveria.
Sipas të dhënave zyrtare, 98% e fëmijëve 2-vjeçarë përdorin ekrane çdo ditë, ndërsa një në katër prindër të fëmijëve 3-5 vjeç kanë deklaruar se e kanë pasur të vështirë kontrollin e kohës së ekranit.
Udhëzimet këshillojnë që ekrane të shmangen gjatë vakteve dhe një orë para gjumit, të zgjidhet përmbajtje e ngadaltë dhe e përshtatshme për moshën dhe të shoqërohen fëmijët gjatë përdorimit, për të mbështetur zhvillimin e gjuhës dhe shoqëror.
Ekspertët e Institutit për Shkencën e Fëmijërisë dhe Universitetit të East London, që studjojnë përmbajtjen që shikojnë fëmijët nën 5 vjeç, paralajmërojnë se ekrani mund t’i vendosë fëmijët në një gjendje stresi dhe përdorimi i tij për qetësimin e sulmeve të temperamentit mund të përkeqësojë problemin me kalimin e kohës.
Ky është një hap i rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit mendor dhe zhvillimit të hershëm të fëmijëve britanikë./mxh
