Britney Spears është parë sërish në publik për herë të parë që pas arrestimit të saj në fillim të muajit për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit. Ndërkohë, çështja e këngëtares është në shqyrtim nga autoritetet në Ventura County.
Një përfaqësues i zyrës së prokurorit bëri me dije se dosja është dorëzuar dhe po analizohet, proces që mund të përfshijë edhe mbledhje provash dhe informacionesh shtesë. Vendimi përfundimtar pritet të merret përpara seancës gjyqësore të caktuar më 4 maj 2026.
Artistja 44-vjeçare u fotografua në Malibu gjatë fundjavës, në një moment të zakonshëm teksa priste në radhë për të porositur në Starbucks. Ajo kishte veshur një pallto të gjatë në ngjyrë kafe, syze dielli dhe mbante me vete një çantë të madhe portokalli, ndërsa flokët biondë i kishte lënë të lirshëm.
Spears u ndalua nga Patrulla e Autostradave të Kalifornisë më 4 mars dhe u lirua të nesërmen në mëngjes. Ky incident erdhi pas raportimeve të mëparshme për drejtim të parregullt pas një mbrëmjeje me miq.
Menaxheri i saj, Cade Hudson, e quajti situatën serioze dhe të papranueshme, duke theksuar se këngëtarja do të përballet me pasojat dhe do të marrë masa për të respektuar ligjin. Ai shtoi se kjo mund të shërbejë si një moment reflektimi për ndryshime të rëndësishme në jetën e saj.
Burime pranë Spears bëjnë të ditur se ajo është e prekur dhe e penduar për ngjarjen, ndërsa po gjen mbështetje te djemtë e saj, Sean Preston dhe Jayden James, të cilët janë pranë saj në këtë periudhë./mxh
