Komisioni Evropian prezantoi sot një paketë të re rregullash për prokurimet publike, me synimin që fondet publike të përdoren në mënyrë më strategjike dhe të favorizohen më shumë kompanitë evropiane.
Rregullat e propozuara do të zbatohen në fusha të ndryshme, përfshirë pajisjet shkollore, ndërtimin e rrugëve dhe kontrata të tjera publike.
Komisioneri evropian për Industrinë Stephane Sejourne e cilësoi prokurimin publik si një “levë strategjike” në një kohë kur fuqitë e mëdha po e përdorin atë për të mbështetur strategjitë e tyre industriale dhe ekonomike.
Komisioni dëshiron që sektori publik i BE-së të vazhdojë t’u japë përparësi kompanive evropiane ndaj furnizuesve nga vende të treta, veçanërisht kur këto vende nuk u ofrojnë kompanive evropiane qasje të barabartë në kontratat publike.
Për disa sektorë, si bateritë e automjeteve dhe betoni, Komisioni kishte propozuar më herët këtë vit që produktet evropiane të favorizohen.
Këto propozime aktualisht po diskutohen nga Parlamenti Evropian dhe shtetet anëtare.
Rregullat e reja parashikojnë që partnerët tregtarë jashtë BE-së, me të cilët ekzistojnë marrëveshje të posaçme për qasjen në tregun e prokurimeve publike, të përfshihen në sistem.
Në të kundërt, vendet që nuk ofrojnë akses reciprok të dakordësuar mund të përjashtohen.
Sejourne konfirmoi se, për shembull, produktet nga Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të trajtohen në të njëjtën mënyrë si produktet evropiane, ndërsa Kina nuk do të përfitojë nga i njëjti trajtim.
Komisioni Evropian synon gjithashtu të ndryshojë kriteret për dhënien e kontratave, duke u dhënë më shumë peshë faktorëve si mjedisi, inovacioni, siguria, qëndrueshmëria e furnizimit dhe kushtet e punës gjatë prodhimit.
BE-ja po përballet me vështirësi për të ruajtur konkurrueshmërinë ndërkombëtare.
Vetëm deficiti tregtar i Bashkimit Evropian me Kinën arrin aktualisht në rreth 1 miliard euro në ditë./mxh
