Last Updated on 26/10/2026 by Monika
Callum Turner është ndër emrat kryesorë në garën për t’u bërë James Bond i ri. Aktori raportohet se ka zhvilluar audicionin në studiot e famshme Bray Studios, në Berkshire të Anglisë, ndërsa procesi i përzgjedhjes për pasardhësin e Daniel Craig ka hyrë në fazën përfundimtare.
Një automjet luksoz i zi, i shoqëruar nga pjesëtarë të sigurisë së studiove, u vu re teksa largohej pasditen e së shtunës, më 24 tetor. Kjo ngjarje nxiti spekulimet se në automjet ndodhej një nga aktorët që po merr pjesë në audicionet për rolin e agjentit legjendar 007.
Sipas raportimeve të Daily Mail, në fazën përfundimtare të përzgjedhjes kanë mbërritur nga tre deri në pesë aktorë.
Përveç Callum Turner, në listën e emrave që po shqyrtohen për rolin e famshëm përfshihen edhe Jack Lowden, i njohur nga seriali Slow Horses, si dhe Josh O’Connor, fitues i çmimit Golden Globe.
Në garë përmendet gjithashtu Jacob Elordi, pavarësisht raportimeve të mëparshme se aktori mund të ishte tërhequr nga gara.
Një burim i cituar nga Daily Mail ka deklaruar se kërkimi për pasardhësin e Daniel Craig ka zgjatur prej vitesh. Sipas të njëjtit burim, Turner ishte thirrur për audicion të premten, më 23 tetor, ndërsa ditët në vijim pritej të ishin vendimtare për përzgjedhjen e kandidatëve përfundimtarë.
Callum Turner, i cili u martua me këngëtaren Dua Lipa në fillim të këtij viti, përmendet nga mediat si një nga kandidatët kryesorë për të marrë rolin e agjentit britanik.
Ndërkohë, mundësia që Jacob Elordi të zgjidhet për rolin ka nxitur diskutime mes fansave të sagës, pasi një pjesë e tyre mendojnë se personazhi i James Bond duhet të interpretohet nga një aktor britanik.
Nëse procesi i përzgjedhjes përfundon deri në dhjetor, xhirimet e filmit të ri të James Bond mund të nisin gjatë vitit 2027. Projekti pritet të drejtohet nga regjisori Denis Villeneuve, i njohur për filmat Dune dhe Blade Runner 2049.
Deri më tani, gjashtë aktorë kanë interpretuar James Bond-in në filmat artistikë: Sean Connery, George Lazenby, Roger Moore, Timothy Dalton, Pierce Brosnan dhe Daniel Craig.
Sean Connery ishte i pari që solli në ekran personazhin e krijuar nga shkrimtari Ian Fleming, në vitin 1962./mxh
